E para nuk harrohet kurrë! Më 19 gusht 2001, Zinedine Zidane ka luajtur ndeshjen e tij të parë zyrtare me fanellën e Real Madridit. Kundër Real Zaragoza në Kupën e Mbretit. Tri ditë më vonë ka ardhur debutimi në “Bernabeu” në ndeshjen e kthimit. Sot, 14 vite dhe 5 muaj më pas, Zizu ka bërë debutimin e tij në konferencë për shtyp si trajner i Realit, pas shkarkimit të Benitezit.
“Lojtarët janë të përqendruar dhe kanë dëshirë të punojnë. Ishin shumë të kënaqur. Kemi objektiva prestigjiozë për të arritur dhe jemi në gjendje t’i arrijmë”, kanë qenë fjalët e para të francezit. Menjëherë ka ardhur pyetja në lidhje me rolin që do të kenë në skuadër Isko dhe Hames, të cilët janë aktivizuar shumë pak nga Rafa Benitez. “Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Hames dhe Isko janë lojtarë të shkëlqyer”, – ka qenë përgjigjja e Zidanit.
“Unë do të luaj me tre sulmues, me Kristiano Ronaldon, Benzeman dhe Bejlin, por do të kërkoj t’i jap ekipit diçka nga ana ime, veçanërisht në aspektin sulmues, duke e ditur se te Reali ka shumë rëndësi loja e bukur”. Një nga gazetarët ka vënë në dukje se Bejl nuk ka qenë shumë i lumtur për ndryshimin e trajnerit, për shkak të marrëdhënies së mirë që kishte me Rafa Benitez.
“Mund të siguroj se Gareth do të ketë të njëjtën mbështetje edhe nga ana ime”, – ka garantuar Zizu. “Te Reali kam punuar me Ançelotin dhe me Murinjon, gjatë karrierës sime kam pasur shumë trajnerë. Nga secili prej tyre kam mësuar diçka. Tani duhet të shikoj se çfarë kam në dispozicion dhe më pas të vendos”. Francezi ka refuzuar krahasimin me Guardiolën: “Jam këtu për të dhënë maksimumin, nuk dua të krahasohem me Pep, nuk më pëlqejnë krahasimet”.
Duke u kthyer te loja e ekipit: “Do t’u kërkoj lojtarëve të zhvillojnë një lojë të shpejtë nga mbrojtja në sulm dhe dua të kemi një zotërim më të madh të topit. Kjo është ideja ime e futbollit. Dua t’i jap filozofinë time sulmuese ekipit, të njëjtën që kam pasur edhe kur luaja. Kjo është një etapë e re, do të kemi një rol të ri. Më është dashur pak kohë për të arritur deri këtu. Nuk ishte një gjë e parashikuar, por sapo më ka ardhur oferta, kam pranuar menjëherë. Do të jetë një sfidë e vështirë, por entuziazmuese. Do të bëj gjithçka është e mundur për të fituar tituj”. Për të parë se si do të shkojnë gjërat duhet pritur e shtuna, kur Reali do të luajë në shtëpi kundër Deportivo La Korunjës në kampionat.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
