Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu mëngjesin e së enjtes, 9 korrik, në një biznes riciklimi metalesh në Aspropyrgos, të Greqisë, duke shkaktuar plagosjen e të paktën 1 personave, tre prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Flakët nisën pak para orës 08:00 në një biznes që merrej me shitjen e pjesëve të këmbimit për kamionë dhe makineri, përpara se të përhapeshin në një fabrikë plastike aty pranë. Për shkak të intensitetit të zjarrit dhe ngarkesës së lartë termike, operacioni për shuarjen e flakëve u cilësua si jashtëzakonisht i vështirë.
Në vendngjarje u angazhuan 75 zjarrfikës me 20 automjete, katër mjete speciale dhe një helikopter, ndërsa autoritetet shprehën shqetësim edhe për praninë e një kamioni me bombola propani brenda ambienteve të kompanisë, çka rriti ndjeshëm rrezikun.
Sipas informacioneve të fundit, shtatë persona janë shtruar në Spitalin “Thriasio”, ku dy prej tyre janë të intubuar dhe në gjendje të rëndë. Tre të plagosur të tjerë kanë pësuar lëndime më të lehta dhe pritet të marrin daljen nga spitali gjatë ditës. Dy persona të tjerë iu drejtuan vetë spitalit për ndihmë mjekësore dhe janë larguar pas trajtimit.
Ndërkohë, një 42-vjeçar, i cili dyshohet se është pronari i biznesit, u transportua me ambulancën e EKAB në Spitalin “Attikon”. Ai ndodhet i intubuar në gjendje shumë të rëndë dhe pritet të transferohet në Njësinë e Djegieve të Spitalit KAT.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se biznesi është shkatërruar pothuajse plotësisht, ndërsa re të dendura tymi kanë mbuluar qiellin mbi Atikë, duke krijuar një atmosferë mbytëse në zonë. Forcat zjarrfikëse vijojnë përpjekjet për të vënë zjarrin nën kontroll dhe për të shmangur rreziqe të tjera.
