Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre, pyll dhe ullishte në fshatin Haspiraj të Bashkisë Peqin.

Flakët u identifikuan gjatë orëve të pasdites dhe përhapja e tyre në terren krijoi një situatë të vështirë për shërbimet zjarrfikëse, të cilat ndërhynë menjëherë për izolimin e vatrës.

Pas rreth tre orësh pune intensive, ekipet zjarrfikëse arritën ta vënë zjarrin nën kontroll dhe më pas të bëjnë të mundur shuarjen e plotë të tij, duke shmangur përhapjen e mëtejshme drejt sipërfaqeve të tjera me bimësi dhe pemëtari, raporton gazetari Fatmir Popja.

Zjarret në territorin e Peqinit janë shndërruar në një problem të përsëritur gjatë ditëve të fundit, me disa vatra të evidentuara në zona të ndryshme rurale. Dyshohet se një pjesë e tyre lidhet me djegien e tokave bujqësore, një praktikë që në kushtet e temperaturave, bimësisë së thatë dhe erërave të forta mund të dalë shumë shpejt jashtë kontrollit.

Shërbimi zjarrfikës i Peqinit vijon apelin ndaj fermerëve dhe të gjithë qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe veçanërisht djegien e pakontrolluar të mbetjeve bujqësore.

Era e fortë e ditëve të fundit ka favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve, duke rritur rrezikun për dëmtimin e sipërfaqeve të mëdha me ullishte, pemëtari dhe bimësi natyrore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: