Qendra kulturore bullgare në qytetin e Manastirit, në Maqedoninë e Veriut është përfshirë nga flakët flakë të shtunën në mëngjes. Ende nuk dihet se kush e shkaktoi zjarrin. Porta hyrëse e qendrës me mbishkrimin “Vanço Mihajlov” është djegur, ndërkohë që brenda objektit nuk janë shkaktuar dëme.

Përfaqësuesit e qendrës i thanë medias lokale se zjarri kishte shpërthyer në orën pesë të mëngjesit dhe fqinjët kishin njoftuar zjarrfikësit, të cilët e kishin shuar zjarrin duke penguar përhapjen në pjesët tjera të shtëpisë.

Organet hetuese kanë bërë ekspertizën, teksa nuk ka njoftime zyrtare mbi shkaqet apo motivet e zjarrit.

Qendra kulturore bullgare që mban emrin e Vanço Mihajlovit, u hap para disa javësh në qytetin e Manastirit gjatë një ceremonie ku morën pjesë kryeministri bullgar Kiril Petkov dhe zyrtarë të lartë qeveritarë nga Sofja. Emri i Vanço Mihajlovit, një personalitet i Luftës së Dytë Botërore, që maqedonasit e konsiderojnë si fashist dhe për të cilin thonë se kishte urdhëruar krime ndaj popullatës maqedonase, nxiti pakënaqësi të shumta në qarqe jo vetëm politike maqedonase, pasi u përurua në Manastir.

Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski, duke e dënuar djegien e objektit, thekson se “aktet e tilla paraqesin provokim dhe nuk shkojnë në favor të përmirësimit të marrëdhënieve me Bullgarinë”.

Më parë, edhe Ministria e jashtme e Maqedonisë së Veriut e ka dënuar ashpër aktin e vënies së zjarrit, ndërsa kërkon që të zhvillohen hetime të shpejta dhe keqbërësit të nxirren para drejtësisë. Ministri Bujar Osmani shprehet se “akti i këtillë vandal është edhe një dëshmi se ka shumë aktorë të cilët janë kundër arritjes së përparimit në marrëdhëniet me Bullgarinë dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane”. Ai e quan këtë “një akt penal që është kryer jorastësisht sot, kur të dy shtetet do të zhvillojnë dialogun në funksion të kapërcimit të çështjeve të hapura në rrugën e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut”.

Ndërkohë, sot në Shkup mbërriti Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska në një vizitë të planifikuar që më parë. Ajo do ta vizitojë edhe qendrën kulturore bullgare në Manastir.

Incidenti ndodh në një kohë kur raportet midis dy vendeve fqinje duken të ftohura dhe bisedimet për zgjidhjen e mosmarrëveshjejeve historike kanë ngecur. Sofja nuk duket se do ta heqë veton për çeljen e bisedimeve gjatë këtij muaji në Bruksel për Maqedoninë e Veriut me Bashkimin Evropian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb