Sezoni i zjarreve në Evropën Jugore ka nisur me intensitet, ndërsa Franca, Spanja dhe Portugalia po përballen me vatra të mëdha të favorizuara nga thatësira dhe temperaturat ekstreme.

Situata më kritike paraqitet në Francën jugore, ku një zjarr i madh në departamentin Pirenejtë-Orientale ka përfshirë mbi 13,500 hektarë. Flakët shpërthyen të shtunën në mbrëmje pranë malit Canigou, në një zonë të vështirë malore, ndërsa erërat e forta veriperëndimore dhe i nxehti kanë vështirësuar ndërhyrjen e forcave të emergjencës.

Qindra banorë janë detyruar të evakuohen gjatë natës. Një prej tyre tregoi se tymi u bë i dukshëm rreth orës 22:30 dhe pak orë më vonë autoritetet u kërkuan banorëve të largoheshin menjëherë nga shtëpitë. Ajo dhe familja e saj u strehuan në një zonë të posaçme së bashku me të evakuuarit e tjerë.

Rreth 700 zjarrfikës, të mbështetur nga avionë dhe helikopterë, po luftojnë me flakët. Rajoni Pirenejtë-Orientale, së bashku me gjashtë rajone të tjera franceze, është vendosur në alarm portokalli për rrezik zjarri, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, ka shprehur shqetësimin se sezoni i zjarreve ka nisur rreth një muaj më herët se zakonisht. Sipas zjarrfikësve, shumica e zjarreve shkaktohen nga aktiviteti njerëzor, ndërsa përhapja e tyre favorizohet nga thatësira dhe temperaturat e larta.

Edhe në Spanjë, një zjarr pranë zonës turistike të Costa Brava ka djegur rreth 22 mijë hektarë, por autoritetet njoftuan se ai është vënë nën kontroll. Megjithatë, zjarrfikësit paralajmërojnë se temperaturat e larta dhe vatrat e mbetura të zjarrit vazhdojnë të përbëjnë rrezik. Ndërkohë, banorët e rreth dhjetë komuniteteve pranë La Bisbal d’Empordà janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre pas heqjes së kufizimeve. Autoritetet dyshojnë se zjarri është shkaktuar nga neglizhenca dhe kanë arrestuar një person.

Në Portugalinë veriore, një tjetër zjarr i madh pyjor ka qenë aktiv prej tre ditësh në zonën e Vouzela, në distriktin e Viseut. Sipas autoriteteve, flakët kanë përfshirë rreth 130 mijë hektarë bimësi, ndërsa rreth 80 për qind e zjarrit është tashmë nën kontroll dhe situata po përmirësohet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb