TIRANË- Pas shuarjes së flakëve që përfshinë një fabrikë të prodhimit të tapeteve dhe pëlhurave në autostradë, Drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Premçi ka dhënë një intervistë për News24 dhe gazetarin Spartak Koka ku tregoi për punën që kanë bërë strukturat dhe koordinimin e veprimeve. Premçi tha se janë marrë masat njëkohësisht edhe për fikjen e zjarrit edhe për dhënien e ndihmës ndaj punonjësve që ishin asfiksuar, duke përgëzuar shërbimet zjarrfikëse të Tiranës, Krujës dhe Durrësit.

Drejtori i Emergjencave Civile i bëri apel bizneseve të bashkëpunojnë me shërbimet zjarrfikëse dhe të marrin masat për mbrojtjen nga zjarri në mënyrë që të shmangin katastrofa dhe zjarre të përmasave të tilla.

Zoti Premçi çfarë ka ndodhur dhe çfarë shërbimesh keni angazhuar për emergjencën?

Sot rreth orës 9 është marrë një njoftim në sallën e Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, dhe në sallën e emergjencave se ka rënë një zjarr në një fabrikë në autostradë.  Kur mbërritëm këtu angazhuam të gjitha strukturat e shërbimeve zjarrfikëse dhe të emergjencave pasi kishim njoftime se kishte edhe shumë punëtorë brenda, megjithëse menduam se ishte ditë pushimi, por një pjesë e ekipit të fabrikës po punonin. Një njërin krah strukturat zjarrfikëse po punonin për fikjen e zjarrit, ndërkohë që strukturat e emergjencave civile, qendrës vullnetare të mjekëve filluan ti jepnin ndihmën e parë disa punonjësve të asfiksuar dhe i adresuan drejt shërbimeve spitalore. Ndërsa shërbimet zjarrfikëse janë për tu përgëzuar pasi edhe shërbimet zjarrfikëse të Tiranës, edhe shërbimet e Krujës dhe të Durrësit që ne i futëm në veprim për shkak të karakterit që kishte biznesi, ishte një biznes i prodhimit të tapeteve dhe pëlhurave dhe vatra e zjarrit kishte rënë në katin e dytë, ku ishte edhe lënda e parë me të cilën punonte fabrika. U veprua shpejt nga zjarrfikëset por intensiteti i zjarrit ishte shumë i madh për shkak se lënda e parë ishte lehtësisht e djegshme.

Cili ishte shkaku?

Ne nuk mund ta themi sepse do ta thonë ekspertët por gjithsesi janë hipotezat që mund të jetë shkëndija elektrike, mund të jetë shpërthimi i lëndëve të para sepse këtu punohet me lëndë kimike për pëlhurat e tapetet. Unë këtë nuk mund ta them, do ta thonë ekspertët.

A i kishte marrë masat parandaluese?

Ne kur erdhëm këtu impianti i shërbimit zjarrfikës të fabrikës nuk punonte për shkak se kishte rënë automati i energjisë dhe impianti nuk punonte. Gjithçka është kryer nga shërbimet zjarrfikëse. Më pas për shkak të përmasave të zjarrit duhej ujë përsëri dhe duke marrë parasysh trafikun dhe gjithçka që duhet të shkonin makinat e të mbushen, ka shumë vonesë iu drejtuam bizneseve fqinje. E po ta shikoni janë shtrirë me qindra metra tuba ujë të zjarrfikëseve për të marrë nga biznesi fqinj ujë për të goditur vatrat e zjarrit në katin e dytë të godinës së biznesit që pati fatkeqësinë.

A mund shërbejë kjo ngjarje edhe si një moment reflektimi edhe për bizneset në mënyrë që impiantet e parandalimit të zjarreve të kenë edhe një gjenerator i cili në rastet kur fiken dritat të jetë i garantuar për të fikur zjarrin?

Është mëse e domosdoshme dhe shërbimet e inspektimit të zjarrfikëseve këtë kërkojnë tek biznesi por bizneset pak ose aspak bashkëpunojnë me shërbimet zjarrfikëse… për t’ju bindur ja çfarë pasojash sjell zjarri dhe ja pse duhet ti merrni masat. Ja pse duhet ti keni edhe bombolat, aparatet zjarrfikëse të dorës për të shuar atë vatrën e parë të zjarrit, sepse zjarri po mori përmasa krijon këto pasoja që ju i shikoni. Normalisht që çdo shtetas shqiptar apo i huaj qoftë që ndërton një biznes të këtyre përmasave, aq më tepër të këtij karakteri duhet të ketë masa të forta të mbrojtjes nga zjarri. Nëse nuk i ka këto duke pasur parasysh trafikun, distancën për të ardhur shërbimet zjarrfikëse, ka një problem zjarri sado pak të vonohesh merr përmasa aq më tepër që lënda e parë që dispononte fabrika ishte lehtësisht e djegshme.

 

(m.k/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: