UEFA më në fund ka vendosur edhe detajet se si do të jenë përbërjet e skuadrave pjesëmarrëse në EURO 2024. Sipas agjencisë “ANSA”, kërkesa e trajnerëve është pranuar, duke çuar në 26 numrin e futbollistëve për çdo ekip pjesëmarrës. Por jo vetëm kaq.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ky vendim shoqërohet edhe nga ai sipas të cilit trajnerët do të kenë të gjithë lojtarë në dispozicion, pra duke “zgjeruar pankinat” që të gjithë lojtarë të jenë në stol gjatë ndeshjes dhe jo duke çuar 3 në tribunë siç ndodhi për EURO 2020.

Për më tepër, gjithçka do të jetë me të drejtë zgjedhje. Trajnerët do të kenë mundësi të grumbullojnë nga 23, deri në 26 lojtarë për aktivitetin, sipas dëshirës së tyre. Ndaj do të jetë në dorën e Silvinjos për të zgjedhur nëse do të marrë 26 futbollistë me vete në Gjermani, apo nëse do i qëndrojë besnik idesë së tij që me 23 lojtarë përgatitet më mirë aktiviteti.

RREGULLORJA – Sipas rregullores që UEFA ka vendosur për Kampionatin Europian, lista që trajnerët e kombëtareve do të zgjedhin duhet të dorëzohet më datën 7 qershor dhe pas kësaj dite nuk mund të ndryshohet asnjë lojtar për arsye të thjeshtë. Por, vetëm në rastin se dikush dëmtohet, atëherë çdo kombëtare ka të drejtë ta zëvendësojë, por vetëm një lojtar.

Pasi e ka kryer këtë zëvendësim në listë, e vetmja lëvizje që mund të bëjë është në portë. Nëse një portier dëmtohet, çdo skuadër ka të drejtë të marrë një tjetër, edhe pse Europiani mund të ketë filluar. Kështu, shumica e ekipeve kanë lënë një takim miqësor më datën 6-7 qershor dhe pas ndeshjes të vendosin për listën përfundimtare që do të dorëzojnë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: