Pas zjarrit që përfshiu një pallat pranë kompleksit të banimit në zonën e QSUT-së, duke lënë rreth 70 familje në qiell të hapur, ka reaguar Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, duke e cilësuar ngjarjen si një alarm serioz për rreziqet që kërcënojnë jetën dhe pronën e qytetarëve. Shoqata thekson se raste të tilla, fatkeqësisht, nuk janë të rralla dhe nënvizon rëndësinë e sigurimit të pronës si një ndër instrumentet kryesore për mbrojtjen financiare të familjeve dhe bizneseve.
Në reagimin e saj, Shoqata ka kundërshtuar edhe deklaratat e bëra nga ekspertë, të cilat sipas saj krijojnë perceptimin e gabuar se sigurimi nuk funksionon në raste zjarri. Sipas Shoqatës, “këto pretendime janë të pasakta dhe dezinformuese, duke dëmtuar drejtpërdrejt interesin e qytetarëve”.
Përfaqësuesit e siguruesve sqarojnë se, në kushtet standarde të sigurimit nga zjarri, mbulimi lidhet me pasojën e ngjarjes dhe jo me klasifikimin teknik të shkakut. Kjo nënkupton se edhe në rastet kur zjarri shkaktohet nga defekte elektrike apo burime të tjera aksidentale, dëmet dëmshpërblehen sipas kontratës së sigurimit.
Shoqata thekson gjithashtu se “çdo kërkesë për dëmshpërblim trajtohet mbi bazën e fakteve dhe të drejtave kontraktuale, duke garantuar një proces të drejtë dhe transparent për qytetarët”.
Deklarata e plotë
Ngjarja e rëndë e zjarrit në zonën e “Farmacia 10” në Tiranë është një alarm serioz për rreziqet reale që kërcënojnë jetën dhe pronën e qytetarëve, ngjarje të cilat, fatkeqësisht, nuk janë të rralla.
Në këtë kontekst, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë rithekson se sigurimi i pronës është një nga instrumentet më të rëndësishëm për mbrojtjen financiare të familjeve dhe bizneseve përballë pasojave të ngjarjeve të tilla.
Së fundmi, në hapësirën publike po qarkullojnë interpretime të pasakta nga të ashtuquajtur “ekspertë”, të cilat krijojnë perceptimin se sigurimi nuk funksionon apo se dëmshpërblimi është i pamundur në raste zjarri. Ky është një interpretim i gabuar dhe i papërgjegjshëm, që rrezikon të dezinformojë qytetarët. Deklarata të tilla jo vetëm që janë të pasakta, por dëmtojnë drejtpërdrejt interesin e qytetarëve.
Për sqarim të opinionit publik: në kushtet standarde të sigurimit nga zjarri, mbulimi lidhet me pasojën e ngjarjes dhe jo me klasifikimin teknik të shkakut. Kjo do të thotë se, në rastet kur zjarri shkaktohet nga defekte elektrike apo burime të tjera aksidentale, dëmet e shkaktuara nga zjarri dëmshpërblehen në përputhje me kushtet e kontratës së sigurimit.
Çdo interpretim tjetër është keqlexim i qëllimshëm ose mungesë njohurish bazë mbi sigurimet.
Çdo kërkesë për dëmshpërblim trajtohet mbi bazën e fakteve dhe të drejtave kontraktuale, duke garantuar një proces të drejtë dhe transparent për qytetarët.
Është e rëndësishme të theksohet se sigurimi nuk zëvendëson detyrimin për respektimin e standardeve teknike dhe të sigurisë, por përkundrazi funksionon si një shtresë e domosdoshme mbrojtjeje financiare kur këto rreziqe materializohen.
Në një realitet ku zhvillimi urban është intensiv dhe rreziqet janë në rritje, bëhet edhe më e domosdoshme rritja e ndërgjegjësimit për sigurimin e pronës si dhe informimin i saktë dhe profesional të publikut.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e keqinformimit dhe të mbështeten në burime të besueshme.
Sigurimi nuk e ndalon ngjarjen, por garanton që pasojat e saj të mos jenë shkatërruese për familjet dhe ekonominë e tyre.
