TIRANË – Cilat janë qytetet e tjera që pritet të pastrohen nga ndërtimet? Çfarë e shpëton nga shembja, një objekt një apo disakatësh? A është ky aksion apo një reformë e INUK për kthimin e Shqipërisë në identitet? Këto e shumë përgjigje të tjera i ka dhënë sot kryeinspektorja e INUK-ut, Dallëndyshe Bici, në emisionin “Njerëz në fokus” të gazetares Ola Bruko në “News24″.

Zonja Bici, nga koha kur ju jeni zgjedhur në krye të INUK, sa ndërtime me leje apo pa leje janë prishur në Shqipëri?

Nuk është prishur asnjë ndërtim me leje në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë të gjitha objekte të kundraligjshme.  Aktualisht jemi duke punuar në zonën e Komunës së Parisit. Nëse do flasim për të gjithë territorin, kjo shifër mund të kalojë 3500 objekte. Informaliteti që kemi gjetur ka qenë shumë i madh. Situata ishte e frikshme. Gjatë gjithë vitit 2012 INUK kishte prishur vetëm një ndërtim pa leje. Nuk e kuptoj fare çfarë kanë patur në objektin e tyre të punës.

Situatë e frikshme, e cila duket se ka qëndruar gjatë në kohën kur INUK drejtohej nga Zyhdi Dajti apo jo?

Jo nuk është kështu. Zoti Dajti u fokusua më shumë në projektin e Lungo Mares.

Cili është qyteti i radhës ku do të ndërhyhet zonja Bici?

Eshtë ndërhyrë në Pogradec, Elbasan, Durrës, i cili ka qenë stacioni i parë ku ka filluar INUK. Nuk do lihet në asnjë moment jashtë fokusit kryeqyteti. Aksioni do të vijojë në zonën e Dajtit, në komunën e Parisit, bllokun e Petroninit, në zonën e pallateve të Shallvareve. Do t’i prekim të gjitha sipas planeve të miratuara.

Ka ankesa nga qytetarë të ndryshëm në Lezhë, të cilët kanë mësuar se objektet e tyre herët e vonë do të prishen. Në cilën periudhë të vitit do të ndërhyhet në Lezhë?

Në fillim të vitit është planifikuar të ndërhyhet në qytetin e Lezhës. Qytetarët do të njoftohen sipas procedurës që përmban legjislacioni i Republikës së Shqipërisë.

Përpara se të prishet një objekt, kur njoftohet qytetari?

Kjo varet nga çfarë lloj përmase është objekti, por afati 10 ditor është mëse i mjaftueshëm.

A ka prishje selektive në të gjithë Tiranën dhe qytetet ku INUK ka ndërhyrë?

Në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ku ka ndërhyrë INUK, nuk ka patur dhe nuk do të ketë ndërhyrje selektive. Objektet që nuk janë prishur kanë marrë një titull pronësie.

Opozita herë pas here denoncon ato që i quan si prishje selektive, ju a bëni një rivlerësim?

Opozita gjithmonë ka marrë përgjigje. Të gjitha rastet që janë denoncuar, që nga 27 gushti kur unë kam marrë detyrën, ne i kemi bashkëngjitur dokumentet dhe titujt te pronësisë që qytetarët kanë patur. Nuk jemi ne, as gjykata, as institucion tjetër që t’i heqim të drejtën e pronës qytetarit.

Çfarë lloj bashkëpunimi keni ju me pushtetin vendor?

Sidomos me qytetin e Tiranës konstatoj një bashkëpunim zero. Unë i jam drejtuar Bashkisë së Tiranës dhe nuk kam patur asnjë lloj përgjigje. INUK po bën dhe punën e INUV, që në fokus të punës së vet ka administrimin, kontrollin, monitorimin e territorit.

A ka patur punonjës të INUK që kanë abuzuar me detyrën?

Deri tani nuk ka patur raste që punonjësit e INUK të kenë abuzuar me detyrën. Ne i ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast.

Pas prishjes së ndërtimeve të paligjshme qëndrojnë me javë, gati me muaj inertet, qytetarët nuk dinë kush është institucioni përgjegjës për heqjen e inerteve.

Kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve, pasi ne jemi në aksion në të gjithë Tiranën dhe të gjithë territorin e Republikës. INUK nuk e ka në objektin e punës, detyrë është e kundravajtësit të cilët kanë ndërtuar pa leje. Por duhet ta kuptoni që është e vështirë. Nuk kemi bashkëpunimin më të vogël me atë që administron këtë territor dhe ka për detyrë ta rehabilitojë.

E keni fjalën për Bashkinë?

Sigurisht. Bashkia administron dhe rehabiliton territorin që administron.

E gjithë kjo që po bën INUK është aksion apo reformë?

Përveçse reformë institucionale, është reformë në mentalitetin e qytetarëve. Çdo ditë po gjejmë bashkëpunimin e qytetarëve për prishjen e ndërtimeve pa leje. Eshtë ajo që duhet të kishte bërë çdo INUV dhe INUK ndër vite.

A besoni se do të kthehet Shqipëria në identitet pas këtij aksioni?

Besoj se qytetarëve do tu kthehen hapësirat. U kemi dhënë fund ndërtimeve të kundraligjshme. Qytetarët nuk e kanë më atë kulturë që të investojnë në ndërtime të paligjshme. Kjo është një kthesë shumë e madhe për të ecur drejt kthimit në identitet.

Sa e vështirë është për një femër të jetë në krye të një institucioni të tillë?

Në qeverinë Rama ka shumë femra që drejtojnë institucione të rëndësishme. Nëse në fokus të punës është ligji, nuk ka rëndësi nëse je femër apo mashkull. Me ligjin përpara është me e thjeshtë. Falënderoj qytetarët që bashkëpunojnë me INUK, si dhe të gjithë inspektorët e INUK për punën e palodhur me orare të zgjatura.

(e.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb