TIRANË – Ministria e Drejtësisë i kërkon Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të marrë masa ndaj gjyqatres Erila Cela, e cila me vendimin e saj liroi nga burgu një person me precedentë penalë. Në një konferencë për mediat zëvendës ministri i Drejtësisë, Toni Gogu tha se do të kërkojnë nga KLD masë deri në shkarkimin e gjyqtares Cela.

‘Gjyqtarja Herila Çela, duke mbyllur sytë para fakteve e provave kuptimplota, ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi, për një shtetas, i cili është kapur nga policia e Vlorës duke udhëtuar i armatosur, edhe pse ishte nën masën e sigurisë arrest në shtëpi. Ky shkelës i ligjit, 2 herë i arrestuar nga policia në harkun kohor të pak muajve, lihet përsëri në shtëpi nga Gjykata, falë gjyqtares Herila Çela, e cila nuk e ka për herë të parë shfaqjen në një pozicion tejet shqetësues në raport me ligjin – gjë për të cilën ajo ka qenë edhe më parë subjekt i inspektimit të Këshillit të Lartë Drejtësisë.’ – u shpreh ai.

Në vijim zv/ministri Gogu u ndal edhe në gjyqtarët e mbetur në sitën e vettingut.

“Pas Vetingut është rradha e ndëshkimeve për të gjithë, sepse Vetingu nuk është thjesht pastrimi i llumit nga Pallati i Drejtësisë, po mjeti për të garantuar një sistem drejtësie që të bëjë drejtësi.
Për të gjithë e pa dallim. Dhe ashtu siç nuk mendohej se kupola e korrupsionit në sistemin e drejtësisë do të shembej e ja ku po shembet, ashtu do të ndodhë më herët se vonë, me daljen e të pandëshkuarve të çdo lloji e niveli përpara ligjit.” – përfundoi zv.ministri i drejtësisë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb