Marcelo Bielsa është emëruar trajneri i ri i Uruguajit. Tekniku i njohur ka nënshkruar një kontratë e cila pritet të zgjasë deri në vitin 2026.
Argjentinasi merr drejtimin e kësaj përfaqësueseje pas largimit të Diego Alonso, pasi kombëtarja nuk arriti të kalonte në fazën eliminatore të Kupës së Botës.
“Tifozët po bëjnë thirrje për futboll dhe emocione. Ka ardhur koha”, thuhet në një mesazh në llogarinë zyrtare të skuadrës në Twitter, ku konfirmohet edhe emërimi i “timonierit”.
Bielsa, i cili pritet të prezantohet në një konferencë për shtyp të mërkurën, i rikthehet trajnimit pas largimit të tij nga Leeds në shkurt 2022.
67-vjeçari, i cili gjithashtu ka qenë në stolin e Marseille dhe Athletic Bilbao, ka drejtuar më parë Argjentinën dhe Kilin në Kupat e Botës 2002 dhe 2010 respektivisht.
Bielsa do të debutojë me dy miqësore në shtëpi, kundër Nikaraguas dhe Kubës, muajin e ardhshëm.
(BalkanWeb)
