Zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara, kanë zhvilluar takime me diplomatët kinezë në Pekin, pasi tensionet mes dy vendeve kanë ardhur në rritje.

Lajmi është konfirmuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Përfaqësues nga SHBA ishin Daniel Kritenbrink, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Çështjet e Azisë Lindore e Paqësorit dhe Sarah Beran, drejtore e lartë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Kinën, ndërsa përfaqësues nga pala kineze ishin zyrtarët kinezë Ma Zhaoxu dhe Yang Tao.

Bisedimet shënojnë vazhdimin e diplomacisë midis dy vendeve, pavarësisht konkurrencës intensifikuar, takime këto që vijnë dy ditë pasi ushtria amerikane akuzoi Kinën për manovra të rrezikshme pranë një anijeje ushtarake amerikane në ngushticën e Tajvanit.

“Të dy palët patën diskutime të sinqerta dhe produktive si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të mbajtur linja të hapura komunikimi dhe për të ndërtuar mbi diplomacinë e nivelit të lartë të fundit midis dy vendeve”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb