TIRANË- Të tjera detaje dalin nga mbledhja e grupit parlamentar të PD-së. Gazetarja Elda Menga raportoi për “BalkanWeb” se kryedemokrati Lulzim Basha ka folur para video-konferencës me zyrtarët europianë ku ka parashtruar para grupit të gjithë situatën. Basha ka deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk tërhiqet nga asnjë gjë. Në video-konferencë nuk ka qenë zv.presidenti i PPE David McAllister, ndryshe nga sa u njoftua më herët.

Ndërkohë në mesazhin dhënë deputetëve demokratë, kreu i PPE Joseph Daul dhe eurokomisioneri Johanes Hahn i kanë kërkuar PD-së të rikthehet në negociata duke i garantuar të njëjtën ofertë si më 25 prill.

Burime për “BW” thanë gjithashtu se Daul deklaroi se është i papranueshëm bojkoti i zgjedhjeve dhe bojkoti i parlamentit. “Duhet të gjeni zgjidhje dhe kompromis për të shkuar në zgjedhje. Çdo gjë tjetër nuk është opsion”, ka qenë qëndrimi i ndërkombëtarëve. Nga ana tjetër Basha ka kërkuar garanci për votën e lirë.

“Duam garanci vote, nuk kërkojmë asgjë për PD-në”, mësohet të ketë thënë Basha.
Po kështu mësohet edhe qëndrimi i prerë i eurokomisionerit Johanes Hahn. “Zgjedhjet do të njihen pavarësisht vendimit tuaj për të marrë pjesë apo jo”, është shprehur Hahn.

Por nga ana tjetër Hahn dhe Daul janë shprehur “të shqetësuar për drogën”. “Droga afekton të rinjtë”, kanë thënë ata. Në përgjigje të kësaj kreu i PD-së ka thënë se “problemet e drogës kanë autorë”.
“Kërcënimi i votës ka përgjegjës. Përgjegjëse e problemit nuk është opozita”, ka thënë Basha. Ndërkaq është garantuar se ODIHR dhe Këshilli i Evropës do të monitorojnë zgjedhjet dhe fushatën zgjedhore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb