TIRANE- Drejtori për Çështjet e Evropës Jug­Qendrore në Departamentin e Shtetit, Tom Yazdgerdi, tha se SHBA do që të shohë zyrtarë të lartë të korruptuar, të dalin para gjyqit.

“Ne dëshirojmë të shohim forcimin e institucioneve që luftojnë korrupsionin. Dëshirojmë që të hapen raste ndaj zyrtarëve të lartë që angazhohen në korrupsion, qoftë duke u hetuar, apo duke u ndjekur penalisht, dhe më pas, nëse shpallen fajtor, të dënohen nga gjykata dhe të vuajnë dënimin. Ne do të donim të shihnim një gjë të tillë. E kemi parë këtë gjetiu në rajon, si p.sh. në Kroaci. Dhe them se kjo është vërtet e rëndësishme. Them se Kryeministri Rama ndan të njëjtën dëshirë me ne. Ne punojmë ngushtësisht me qeverinë e tij. Ne gjithashtu po punojmë me opozitën. Ata duhet të bëhen palë e këtij procesi. Pra, duhet të jenë të dyja palët, sigurisht. Pra, ka hapësirë të bollshme për të përmirësuar institucionet në Shqipëri, siç ato janë në SHBA. Por them se fakti se PD­ja ka rënë dakord të kthehet në Parlament me shpresë ka për të ndjellur një frymë të re bashkëpunimi për të forcuar institucionet.
Një nga çështjet madhore është të përkrahet Shqipëria në zhvillimin e institucioneve, ajo me të cilën ju e filluat me pyetjen e parë. Kjo është një çështje mjaft e rëndësishme për qeverinë time. Ne duam të shohim institucione të forcuara. Institucione që mund të luftojnë korrupsionin dhe që në thelb mund të promovojnë prosperitet. Ju i përmendët institucionet që lipsen forcuar. Parlamenti, Prokuroria e Përgjithshme, dhe nuk po veçoj një institucion në veçanti. Po them se institucionet në tërësi duhet të forcohen. Dhe ne kemi synim ta bëjmë këtë. Kemi asistencë dhe e di se Ambasadori Lu, që ka mbërritur atje, ka synim që të ndihmojë qeverinë shqiptare në forcimin e këtyre institucioneve dhe të sigurohet që ka një theks të posaçëm mbi anti­korrupsionin. Sepse kjo është gropa e zezë që i bën institucionet të shkërmoqen. Dhe prandaj qytetarët nuk kanë aspak besim dhe kjo cënon shoqërinë në tërësi. Kjo
është tejet e rëndësishme. Dhe kjo pengon gjithashtu perspektivën e anëtarësimit në BE të Shqipërisë. Sa më të forta të jenë institucionet, aq më të mira do të jenë shanset që Shqipëria të vijojë në procesin e aderimit në BE. Pra, kjo është e rëndësishme edhe për ne”, tha ai për emisionin e Janush Bugajskit.

Duke folur për opozitën, ai u shpreh se bojkoti s’duhet të përdoret më. “E di se fatkeqësisht bojkoti mbetet akoma një mjet që përdoret në Ballkan. Dhe qeveria ime nuk e ka parë atë kurrë si një mjet të mirë për t’u përdorur. Në qoftë se ka pakënaqësi me partinë në pushtet, opozita duhet të punojë brenda institucioneve. Ne u gëzuam tej mase kur pamë se, në rastin e Shqipërisë, PD­ja u kthye në Parlament. Kjo na gëzoi shumë. Sepse e vetmja mënyrë se si mund të mbështeten këto institucione….Meqë ra fjala, më kujtohet koha kur vetë PS­ja bojkotoi parlamentin, dhe, pa dyshim, bojkoti nuk është i kufizuar tek Shqipëria. Shikoni, nuk po them se ata s’kishin ankesa legjitime. Dhe me partinë qeverisëse që ka vullnetin për të marrë në konsideratë ato ankesa dhe për t’i zgjidhur disa prej atyre që janë legjitime, them se do të kemi një frymë të re bashkëpunimi që mund të vijojë punën e mirëqeverisjes së Shqipërisë dhe forcimit të institucioneve”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: