Zyrtari i Këshillit të Europës Claus Neukirch, në një intervistë për News 24 thekson ky institucion po punuar për çështjen e të drejtave të pronësisë, si dhe për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas zyrtarit europian, nëse ke një të drejtë, duhet të kesh edhe një sistem drejtësie që të mundëson ta gëzosh atë dhe se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

“Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, siç e quajmë ne, është një program i përbashkët që zbatojmë me Bashkimin Europian. Mendoj se ky është elementi i parë i rëndësishëm: bëhet fjalë për një partneritet strategjik që kemi me BE-në. Në kuadër të këtij programi, për shembull, kemi punuar për çështjen e të drejtave të pronësisë, si dhe për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Gjatë zbatimit të këtij projekti, kemi ofruar këshillim ligjor për 2.700 persona, me qëllim zgjidhjen e çështjeve të tyre pronësore” thekson Neukirch për gazetarin e News 24 Erion Kaçorri.

Sipas zyrtarit të lartë të KiE, kjo lidhet drejtpërdrejt me shtetin e së drejtës. “Në fund të fundit, nëse ke një të drejtë, duhet të kesh edhe një sistem drejtësie që të mundëson ta gëzosh atë. Kjo është një çështje e ndërlikuar për Shqipërinë, por mendoj se për këta 2.700 persona kemi arritur një rezultat konkret dhe të prekshëm”
Një tjetër çështje që lidhet me shtetin e së drejtës është parimi se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Në kuadër të Instrumentit Horizontal, prej vitesh kemi punuar për rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë. Mund të duket si një temë e thatë, por është jashtëzakonisht e rëndësishme deklaroi Drejtori i Koordinimit të Programit në Këshillin e Europës.

“Nëse i ndihmojmë gjykatat dhe gjyqtarët që t’i trajtojnë çështjet gjyqësore në mënyrë më efikase, ata mund të shqyrtojnë një numër më të madh çështjesh. Ky është një nga elementet që mund të na ndihmojë të trajtojmë stokun e çështjeve të prapambetura. Në rastin e Shqipërisë, ka edhe arsye të tjera që kanë çuar në krijimin e këtij stoku, por kjo është padyshim një prej tyre. Do të përmendja këta dy shembuj si çështje themelore dhe të rëndësishme në fushën e shtetit të së drejtës”.

Sipas Neukirch, një fushë tjetër ku kemi punuar është sistemi penitenciar, pra sistemi i burgjeve, si dhe shëndeti mendor.

“Kur flasim për popullsinë e burgjeve, duhet të kuptojmë se këta janë njerëz që herët a vonë do të lirohen dhe do të bëhen sërish pjesë e shoqërisë. Edhe pse kjo kategori shpesh harrohet ose nuk merr vëmendjen e duhur, ne duhet të punojmë me personat që ndodhen në burgje, në mënyrë që t’i ndihmojmë të riintegrohen në shoqëri pas lirimit. Kjo nuk ndikon vetëm te personat e përfshirë drejtpërdrejt, por te e gjithë shoqëria, duke kontribuar edhe në rritjen e sigurisë”.

Një fushë tjetër ku kemi punuar është lufta kundër diskriminimit shprehet zyrtari i lartë i Këshillit të Europës. “Këtu mund të ndihmojmë në përmirësimin e kuadrit ligjor, duke kontribuar në hartimin e një legjislacioni më të mirë. Ne krijojmë bazën e nevojshme ligjore, por kemi nisur gjithashtu të punojmë me policinë dhe aktorë të tjerë për të shqyrtuar rastet e diskriminimit dhe krimeve të urrejtjes, si dhe mënyrën se si duhet të trajtohen ato. Shpresoj që kjo të sjellë rezultate konkrete për qytetarët, duke pakësuar diskriminimin dhe duke krijuar mekanizma më të mirë për mbrojtjen e të drejtave dhe për të kërkuar zgjidhje kur ato shkelen” shprehet Drejtori i Koordinimit të Programit në Këshillin e Europës Claus Neukirch për News 24.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: