Nga: Gerilina Kodheli*

TIRANE-Është konsideruar shpesh si këngëtari që ka bërë revolucion në muzikën shqiptare, jo vetëm falë identitetit të tij artistik, por edhe faktit se ka arritur të qëndrojë unik në artin e tij. Bojken Lako mbetet një nga rock-erët më të mirë të muzikës shqiptare, si interpretues dhe gjithashtu si autor i një sërë këngësh e materialesh muzikore, disa prej të cilave i ka kënduar vetë e të tjera i ka krijuar për kolegët e tij artistë.

Së fundi, Bojken, i cili shquhet si një nga emrat më avangardë në tregun e muzikës shqiptare, ka hapur një derë të re për të gjithë kolegët e tij në trojet shqiptare, e cila mund të jetë edhe realizimi i ëndrrës për disa prej tyre. Bëhet fjalë për një label, i cili synon ta lançojë ndërkombëtarisht muzikën shqiptare, e natyrisht edhe artistët, që në vazhdim do të kenë mundësinë të dëgjohen nga producentë e muzikantë të huaj, por edhe nga një audiencë më e gjerë. Në lidhje me këtë, projektet e tij të tjera dhe dashurinë me këngëtaren Semi Jaupaj, Bojken rrëfehet në këtë intervistë për “VIP Pages”.
Bojken, vjen me një projekt që e ke lançuar ndërkombëtarisht. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
Po, është një label muzikor për të cilin po punoj vetë, si artist relater. Është i themeluar nga DJ dhe producenti i muzikës që punon në Nju Jork, i cili quhet Noahstradamus. Ai është i përfshirë në industrinë e muzikës edhe si artist i muzikës dance, por gjithashtu ka në pronësi edhe dy kompani, “Dare Recordings”, që merret vetëm me muzikën dance dhe “360M Records”. Mendova pse të mos bëj një kompani dhe të mundohem të fus të gjithë artistët shqiptarë që t’i ekspozoj jashtë kufijve të Shqipërisë dhe tua shpërndaj këngën në mënyrë dixhitale në të gjitha portalet ku të blihet muzika. E mora këtë iniciativë para tre apo katër muajsh dhe deri tani kemi nënshkruar me disa artistë në këtë label, që jam unë, Kastro Zizo, Big Basta, Janex dhe Dj Vin Veli dhe po punojmë që të afrojmë rreth vetes artistë të tjerë. Kjo është ideja.
Të gjithë artistët shqiptarë duan të lançohen në botë. Ti beson se do të funksionojë kjo formë, pasi thuhet se është rrugë e vështirë?
Jo, nuk është rrugë e vështirë, çështja është çfarë produkti bën. Në momentin që lançon këngë në shqip, normalisht ato janë dedikuar publikut shqiptar, i cili do t’i klikojë dhe shkarkojë. Por në momentin që një artist lançon nëpër portale të ndryshme dixhitale diçka në anglisht, mund të ketë interes nga producentë, artistë të tjerë, apo edhe publiku. Në momentin që këngët shpërndahen në mënyrë legale në të gjitha portalet e tjera ku njerëzit mund ta dëgjojnë muzikën, sepse nuk funksionon “Youtube” për të dëgjuar muzikë, unë mendoj se do të funksionojë. Normalisht nuk është vetëm kjo kompani në hapat e para. Kohëve të fundit ka shembuj, Era Istrefi pati një sukses shumë të madh dhe u destribua jashtë nga një kompani shqiptare dhe ka nënshkruar kontrata shumë të rëndësishme nëpërmjet kësaj lloj pune legale dhe një pune të vazhdueshme dhe kërkuese.
Mund të themi se kjo është një ndihmë edhe për të drejtat e autorit?
Patjetër që ndihmon. Ky është hapi i parë që edhe kompanitë e tjera të ndërgjegjësohen dhe t’i prekin të gjitha ato hapa që duhen mbi pjesën ligjore të të drejtave të autorit. Artistët shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen fillimisht që të bashkëpunojnë me këto instanca, që më pas të kenë më tepër të drejta dhe më tepër interes për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Bojken, njëkohësisht ke lançuar edhe këngën “Të ndjej”, por në një version të ri?
Po, ai ishte një variant live i këngës. Që në fillim kur e kam bërë këtë këngë, kam pasur dëshirë të realizoj një version dance të saj. Por, në atë kohë punoja me grupin “Bojken Lako Band” dhe u paraqitëm në festival me atë version të këngës, aq pop rock dance sa ç’ishte. Ajo këngë nuk u publikua audio pas festivalit dhe ishte kënga e parë që unë kam publikuar në rrjetet kryesore të muzikës në botë dhe “Google Play” dhe do të vazhdoj të nxjerr projekte të tjera, bashkëpunime, të stileve të ndryshme, jo vetëm dance.
Në fakt të njohim më shumë si artist i muzikës rock dhe alternativ. Pse dance?
U bënë disa vite që eksperimentoj me muzikën rock, duke futur elementë dance dhe elektronike. Gjatë viteve të fundit nuk kam qenë shumë besnik i rrymës rock klasik, megjithëse ato që kam eksperimentuar, kanë qenë në zhanrin e rrymës rock. Megjithatë, gjithmonë kam pasur dëshirë të eksperimentoj edhe muzikë tjetër, si hip hop, dance, pop. Siç duket, tani ka ardhur momenti.
Mendon se është i përshtatshëm tregu, duke qenë se aktualisht po shohim që artistët po ndjekin të njëjtin trend?
Nuk e di, unë mendoj se çdo muzikë nëse nuk është abuzive, qoftë edhe komerciale me standard të mirë, është muzikë e mirë. E gjen pjesën e vetë në publik. Nuk bëj shumë kalkulime, thjesht në këtë moment kam dëshirë të bëj muzikë me mesazh pozitiv dhe të jap pak pozitivitet. Mendoj se gjithçka vazhdon me kohën, jo vetëm me modën, por edhe me mënyrën se si është ndërtuar shoqëria në atë moment. Unë vetë si Bojken, dua që të jap një mesazh pozitiv, ndaj nuk bëj shumë përllogaritje të tjera se çfarë rryme duhet të bëj.
Këngë të reja, apo album ke në plan për momentin?
Po kam, tri apo katër këngë që mendoj t’i nxjerr së shpejti. Ndërsa me album nuk po merrem aktualisht.
U bëtë 5 vite dashuri me Semin. Si është marrëdhënia?
Shumë e mirë.
Çfarë të përbashkëta keni?
Përveç dashurisë dhe marrëdhënies, profesioni na bashkon dhe na lidh edhe më tepër. Secili ka personalitetin e tij dhe mua nuk më pëlqen shumë të flas për marrëdhëniet private.
Kohëve të fundit jeni përfolur se do të bëheni së shpejti prindër. Është e vërtetë, planifikoni një fëmijë?
Plane nuk kam bërë asnjëherë dhe nuk bëj. Nuk ka ardhur si moment.

(ma.ar/Vip pages/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb