Nuk kishte si të shkonte më keq debutimi i Kamer Qakës në kampionatin rumun me fanellën e Steaua Bukureshtit. Mesfushori i kombëtares shqiptare ka luajtur vetëm 30 minuta në ndeshjen kundër Astra të Azdren Llullakut, pasi la lojën për një dëmtim në gjurin e djathtë, i cili duket shumë serioz. Lojtari i transferuar gjatë verës te Steaua e nisi ndeshjen e sotme nga stoli, për t’u aktivizuar në fillimin e pjesës së dytë pasi ekipi i tij ishte në disavantazh pas golit të shënuar pikërisht nga Llullaku. Mesfushori fillimisht u bë protagonist me një ndërhyrje të rëndë që i kushtoi kartonin e verdhë e më pas pësoi vetë një të tillë. Ai u godit në gjurin e djathtë dhe menjëherë bëri shenjë nga stoli se kishte diçka shumë serioze. Stafi mjekësor e kontrolloi dhe kërkoi menjëherë zëvendësim për lojtarin që nuk mbante dot lotët. Më pas ai u shoqërua drejt dhomave të zhveshjes të stadiumit i mbajtur në krahë nga mjekët e skuadrës. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb