Superliga është vetëm 3 ditë larg ngritjes së siparit për sezonin e ri që është i 80-i në historinë e futbollit shqiptar. Kjo ka qenë edhe arsyeja që FSHF ka organizuar sot një takim informues në mjediset e saj me përfaqësues të të gjithë klubeve. Fillimisht, klubeve u është bërë e ditur nga shefi i marrëdhënieve juridike në FSHF, Aldi Topçiu, se nuk do të ketë më policë nëpër stadium, teksa siguria do të garantohet nga vetë klubet, me “security” private:

“Problemi i sigurisë në stadiume ishte çdo vit. Kemi qenë në kontakt për të organizuar ndeshje sa më të sigurta, pa probleme, por jo gjithmonë ia kemi arritur 100%. Në muajin që lamë pas kishim disa korrespondenca me policinë e shtetit, e cila na ka thënë se disa impiante sportive, jo të gjitha të Superiores, lënë për të dëshiruar në aspektin e sigurisë. Sivjet, fatmirësisht kemi rikthimin e një përplasjeje të madhe sportive e kulturore, si derbi i madh i kryeqytetit. Ka tërheqje vëmendje të policisë nga problemet e vërejtura nëpër ndeshje. Ligji ka ndryshuar, policinë nuk do ta kemi më në stadium. Pozitiv është fakti se nuk do të kemi polici në stadium, si në gjithë Europën, por ana negative ka të bëjë me nevojën për dyfishim të mundit tuaj për ndeshjet.”

Lysjen Nurishmi, shefi i sektorit të garave në FSHF, ka deklaruar se testi i parë i i vërtetë i ndeshjeve pa praninë e policisë do të jetë supersfida mes Skënderbeut dhe Partizanit, në Korçë: “Policia do të qëndrojë jashtë rrethimit të stadiumeve dhe pjesa brenda do të jetë nën kontrollin e kompanive “security”, të licencuara nga ministria përkatëse. Skënderbeu me Partizanin kanë pasur probleme me tifozëritë, ndaj do të jetë një test i madh në lidhje me organizmin e ndeshjes”.

Ndërkohë klubet kanë kërkuar që në rast incidentesh të mos ketë më dënime kolektive, por individuale: “Kërkojmë të gjendet zgjidhje, të mos ketë sisteme dënimi kolektive, por të individit. Në këtë mënyrë nuk krijohen probleme, nuk dënohen të pafajshmit, as prishet raporti që ka lidhur klubi me ata që vijnë çdo javë në stadiume. Hajdeni të gjejmë zgjidhjen, por të mos dënojmë masën, të shmangim dënimet kolektive dhe të përqendrohemi tek individi. Për 2-3 persona nuk ka pse të dënohet i gjithë stadiumi”, – u ankua Arbi Laçi, përfaqësuesi i Tiranës, i cili pati mbështetjen e kolegut të Kamzës, Andi Matraxhiu, në këtë pikë.

FSHF nuk ishte dakord me këtë kërkesë pasi sipas tyre klubet janë përgjegjëse për organizimin e ndeshjeve dhe për këtë arsye penalitetet do të mbeten në kurriz të tyre: “Klubi organizator është përgjegjës i mbarëvajtjes së ndeshjes, ne kemi dhënë dënime jo të zakonshme por kanë funksionuar, ne besojmë se grupime të caktuara janë të përhershmit që krijojnë shqetësime”, – tha prerë përgjegjësi i zyrës ligjore të FSHF-së, Aldi Topçiu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb