NGA: ORNELA MANJANI*
Rreth 4.699 abonentë të Operatorit të Shpërn darjes së Energjisë Elektrike do të faturohen aforfe deri në fund të vitit. Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka miratuar listën me abonentët që do të faturohen aforfe dhe ka shtyrë afatin për pajisjen me sahate të këtyre abonentëve deri në fund të vitit për shkak se tensioni me të cilin furnizohen abonentët është 150 volt, dhe funksionimi i matësit është i pamundur. “Gazeta Shqiptare” publikon sot pjesën e dytë të listës, e cila do të vijojë nesër. Deri në vendosjen e matësve, abonentët familjarë që tarifohen aforfe në Tiranë, për periudhën e dimrit do të tarifohen 600 kilovatorë në muaj në qytet dhe 400 kilovatorë në fshat.

Sipas përllogaritjeve, një abonent familjar i OSHEE-së, në Tiranë do të paguajë 6.840 lekë në muaj faturën e dritave (në vlerë është përfshirë edhe TVSH-ja), ndërsa një banor në fshatrat e kryeqytetit do të paguajë 4.560 lekë në muaj. Në qarkun e Durrësit, faturat aforfe variojnë nga 500 kilovatë në qytet, në 350 kilovatë në fshat. SAHATET Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) sapo ka përfunduar operacionin e vendosjes së matësve për të gjithë abonentët të cilët faturoheshin aforfe për muaj të tërë. Sipas detyrimit ligjor, përcaktuar nga ERE, dhe angazhimit të Ministrisë së Energjisë, OSHEE-ja ndërmori fushatën e instalimit të matësve te të gjithë abonentët, për periudhën janar-qershor 2016, të cilët ishin rreth 37 mijë. Në total duke filluar nga viti 2015, kur nisi dhe zbatimi i reformës në sektorin energjetik, deri në vitin 2016, janë instaluar rreth 71 mijë matës.

ABONENTËT PA MATËS
Pavarësisht të gjitha masave të marra nga OSHEEja, me blerjen e të gjithë matësve, bazës materiale, me punonjës të angazhuar në terren me dy turne etj., instalimi i sahateve në disa zona të thella rurale malore ishte kompleks, i vështirë dhe kërkonte kohë. Bëhet fjalë për zona që duhen mbuluar ose me distancë prej 192 km kabllo/linjë e tensionit të ulët (TU), si Kelmendi, Dukagjini, malësitë e Librazhdit, Lezhës, apo dhe zona e Niklës. Në këto zona problem është niveli i tensionit, për të cilat OSHEE-ja ka gjetur dy zgjidhje për abonentët pa matës. Kështu, për zonën e Niklës do të investohet në nënstacionin në linjën e tensionit të mesëm, për të arritur parametrat e nevojshëm teknikë për instalimin e matësve. Për zonat e tjera, OSHEE-ja ka porositur matës specialë, që do të plotësojnë parametrat e nivelit të tensionit aktual.
(Listen me emrat e abonenteve mund ta lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print)
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb