Nga: MENTOR KIKIA
Pasi iu bashkuam masivisht një “mbështetjeje” të justifikuar, morale e shpirtërore për kandidaten Hillary Clinton, si pasojë e kontributit të presidentit Bill Clinton dhe të asaj vetë në çështjen shqiptare; pasi kontestuam kandidaturën e Donald Trump, nisur më shumë nga fakti se ai ishte kundër emigrantëve dhe ne si popull e shikojmë veten të gjithë kandidatë për emigrantë, pasi s’kemi gjetur zgjidhje tjetër për të ardhmen tonë deri tani; pasi u dhamë mend amerikanëve nëpër rrjete sociale, studio televizive, gazeta e salla konferencash; pasi shprehëm opinionin tonë, në shumicë, nga i pari i vendit deri tek i fundit, se Trump nuk bën për president, më në fund mbetëm gojëhapur: Mossssss! Amerikanët e votuan, e bënë president! Unë nuk bëj pjesë tek ata që thonë pas kësaj se ‘unë e kisha parashikuar’. Jo, unë nuk e prisja, dhe nuk jam i bindur nëse amerikanët kanë bërë zgjidhjen e duhur, edhe pse isha i bindur se Clinton nuk do të ishte presidentja që i duhet Amerikës në këtë kohë. Por di të them me siguri se amerikanët, kur kanë votuar, nuk kanë menduar siç mendojmë ne, dhe kandidatët i kanë parë nga këndvështrime të ndryshme.

Jo vetëm nga ne, por nga tërë Europa dhe bota, numri i njerëzve dhe qeverive të shokuara është vërtet i madh. Amerikanët kishin nevojë për një ndryshim, dhe këtë ndryshim nuk ua sillte dot Hillary Clinton, që përfaqëson vazhdimësinë e një pushteti 16-vjeçar dhe një administrate të konsumuar. A do ta sjellë Trump? Historia ka treguar se popujt kanë bërë edhe zgjedhje të gabuara, nga nevoja dhe dëshira për të bërë punë të mira. Por, se si do të qeverisë Trump, duhet të presim. Ndërkohë, skenaristët e “fundit të botës” duhet të bëjnë durim të shkruajnë mbi fatalitetin që na pret si pasojë e presidencës së Donald Trump. Unë nuk besoj se Trump do të bëjë shumë gjëra nga ato që premtoi në fushatë, si muri meksikan apo dëbimi a ndalimi i myslimanëve që të futen në SHBA. Megjithatë, kjo është çështje e së ardhmes dhe orakujt do të gabojnë të gjithë, me siguri, pasi Trump mund të jetë një president shumë më i mirë nga sa mendojnë optimistët, apo edhe shumë më i keq nga sa mendojnë pesimistët.

Por një gjë ai e bëri: e shkundi status quo-në politike, në partinë më konservatore jo vetëm në SHBA, duke iu imponuar asaj dhe shoqërisë amerikane dhe duke demonstruar vlerat e demokracisë së këtij vendi të madh. Ai u nominua duke pasur kundër, nga kryetari i partisë, deri te figurat më të shquara dhe emblematike të republikanëve, përfshirë edhe dinastinë “Bush”, që ishte përgatitur të hidhte në ring Bushin III. Ai shkatërroi mitin e veteranit të luftës, që ishte shndërruar në asetin më të rëndësishëm politik të çdo kandidati, në çdo nivel. Ai dëshmoi se vota e njerëzve është më e rëndësishme se çdo marrëveshje apo pazar politik në zyrat e partive, dhe arriti të marrë edhe votat e anëtarëve të partitë, edhe votat e qytetarëve amerikanë më pas. Habia shqiptare që Trump fitoi erdhi pikërisht sepse, parë nga vatha jonë, ai nuk mund as të kandidonte, sepse kishte kundër krerët e partisë. Dhe ne kemi të drejtë të mendojmë kështu, pasi në vathën tonë, pa miratimin e kryetarit të partisë askush nuk mund të bëhet as deputet, as kryetar bashkie, as drejtor shkolle e as pastruese materniteti. Nga vatha jonë, ne e pamë Trump-in si një biznesmen të krimbur në para që befas iu tek të bëhej president dhe doli në skenë. Jo – thamë, – nuk mund ta lejojnë një ndërtues aventurier të marrë drejtimin e Amerikës. Sepse këtu, këtyre biznesmenëve, partitë u marrin paratë, u vënë emrin në lista, i bëjnë deputetë dhe nuk i lejojnë as të flasin, pasi nuk dinë as të shkruajnë e as të lexojnë fjalime. Dhe media në fakt iu kundërvu ashpër e masivisht atij, deri ditën e fundit, sikundër edhe shumë figura të shquara, këngëtarë e aktorë u shprehën publikisht kundër. Por ne harruam se Amerika është një vend ku presidentët nuk i zgjedhin mediat dhe ambasadat e huaja, e aq më shumë peticionet e intelektualëve. Atje i zgjedh populli.

Amerika është vendi ku vota e njeriut që mbledh gjethet në park ka të njëjtën vlerë me atë të një miliarderi. Ai është vendi ku vota e një gruaje obeze që pastron shtëpitë, ka të njëjtën vlerë me votën e Kim Kardashian. Ai nuk është vendi ku kandidatët mbledhin rreth vetes horrat e kriminelët që të bindin(detyrojnë) fisin dhe lagjen si të votojnë. Ai nuk është vendi ku të varfrit mblidhen si kope te klubi i fshatit dhe u shpërndahen nga 10 dollarë(në ekuivalent leku) për të shitur votën. Ai është vendi ku, nëse dikush mendon apo dëshiron të hyjë në garë, hyn dhe askush nuk e ndalon. Edhe kur ka shumicën kundër. Ai është vendi ku, nëse dikush punon fort, e fiton garën. Kjo është Amerika e lirisë, demokracisë dhe mundësive të barabarta! Ndaj, t’i lëmë parashikimet se ç’do t’i punojë botës presidenti i ri amerikan. Është koha që Amerikës të mos i marrim vetëm mbështetjen, por edhe modelin e demokracisë, duke ndrequr ndonjë gjë në këtë vathën tonë, tashmë kur po na vjen dita që të votojmë sërish ca kandidatë për deputetë, që qëndrojnë kokulur dhe turpërisht të bindur para kryetarëve të partive, për të siguruar një vend në listë.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: