Dje, si në çdo 4 nëntor, Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos i paraqiti Komisionit të Punëve të Jashtëme (AFET) të Parlamentit Europian (progres) raportet mbi 10 shtetet që synojnë anëtarësim në Bashkimin Europian dhe një vlerësim të përmbledhur mbi gjendjen e secilit shtetit; ajo e plotësoi vlerësimin pas diskutimeve e pyetjeve të eurodeputetëve.
Nga kjo seancë mund të nxirren këto përfundimeve:
1-Mali i Zi anëtarësohet në v2028 ?
Sipas Komisionit shteti kandidat që ka shanse realiste për anëtarësim është Mali i Zi. Znj. Kos referoi qershorin 2028 si afat të arsyeshëm të nënshkrimit të Traktatit të Anëtarësimit në BE ndërkohë që përfundimin e negociatave e shihte në fund të këtij viti.
Sa më lart konfirmon opinonin që kemi shprehur më parë mbi shanset reale që Mali i Zi të bëhet shteti i 28-të i BE-së. Por do të ishte e nxituar që anëtarësimi të merret i mirëqenë pasi ratifikimi nga 27 shtetet anëtare aktuale, përfshi Francën, nuk është i garantuar.
2-Shqipëria dhe tetë shtete të tjera “në vend numëro”?
Shqipëria dhe Moldavia kanë një ambicie për të mbyllur kapitujt e negociatave në fund 2027/fillim 2028 e cila sipas znj. Kos mund të realizohet nëse ndërmerrren hapat e nevojshëm. Po kjo vlen edhe për Ukrainën afatet e së cilës janë pak muaj më vonë se ato më lart. Por ndryshe nga Mali i Zi nuk ka indikacion se kur mund të nënshkruhet Traktati; madje edhe fjala “anëtarësim” duket se është evituar. Për shkak të problemeve të brendshme apo pengesave të jashtme edhe 6 kandidatët e tjerë (Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia e Gjeorgjia) nuk kanë shënuar progres dhe nuk kanë afate për hapat e mëtejshëm.
3- “Anëtarësimi me faza” si alternativa e vetme?
Znj. Kos shpjegoi se, pas përpunimit konceptual në Bruksel të “anëtarësimit me faza”, në fillim të v2027 do të niste një dialog me shtetet kandidate se si ata e shikonin mundësinë e përfshirjes graduale në institucione e programe të BE-së, deri tashti të rezervuara për shtetet anëtare.
Për “anëtarësimin me faza” ka tre vjet që kemi shkruar shpesh se është e vetmja udhë realiste për integrimin faktik në BE. Anëtarësimi i mundshëm i Malit të Zi është vetëm një përjashtim që konfirmon këtë rregull të ri për të tërë kandidatët e tjerë. Sidomos në rastin e Shqipërisë do të ishte pozitive që kondicionaliteti për çdo hap integrues të trajtohej me seriozitet e rigorozitet nga Bashkimi Europian. Themi “sidomos” sepse jo rrallë në dekadën e fundit kushtet konkrete të miratuara janë holluar në ujë veçanërisht nga Komision Europian.
Në rastin e Shqipërisë relativizohet edhe “zgjerimi për arsye gjeopolitike” si një motiv shtesë i përmendur në këto katër vjet që kur filloi agresioni rus. Në rastin tonë ku orientimi europian dhe euroatlantik mbështetet një konsensus të gjerë politiko-shoqëror ky motiv humbet pakashumë kuptimin.
4-Reduktimi i protesave si zgjatim i Fasadës së Potjemkinit
Komisionerja Kos (socialdemokrate, Slloveni) e përkrahur nga raporteri parlamentar për Shqipërinë Schieder (socialdemokrat, Austri) pohuan se protesat disamujore në Shqipëri bëheshin për standartet mjedisore dhe se prisnin nga qeveria amendime përkatëse në ligjet për mjedisin e për investitorët strategjikë; gjithashtu ata prisnin dialog për këto çështje mes qeverisë e protestuesve.
Ky pohim është një avatar i zbutur i propagandës zbukuruese nga ana e Komisionit në dekadën e fundit ndaj narko-regjimit autoritar e kleptokratik të Edi Ramës. Kominiosionerja e Raporteri e dinë fare mirë se protestuesit kërkojnë pa luhatje dorëheqjen e Ramës dhe një qeveri kujdestare njëvjeçare që të përgatisë zgjedhje parlamentare normale. Por ata preferojnë të fabrikojnë realitete paralele. Po kështu edhe Presidentja e Komisionit von der Leyen, e cila para disa javësh në Tiranë e nisi fjalimin me një “Dear Edi” cinike (deri pak kohë më parë e niste me “Dear Aleksandar” në Beograd”). Po kështu para një viti në Tiranë znj. Kos i quante zgjedhjet parlamentare 2025 si “free and fair” duke kundërshtuar raportin e Komisionit të vet e atë të OSBE-së. E kështu me radhe ka shembuj plot. Përmirësimet minimaliste të (progres)raporteve në tre vitet e fundit përmes nuancave më realiste në përshkrimin e problemeve të shtetit ligjor e të demokracisë nuk e ballancojnë dot propagandën para kamerave tv; ato raporte lezohen nga pakkush e harrohen më shpejt.
Shkaqet e kësaj propagande mund të jenë naiviteti apo cinizmi; motivet mund të jenë beninje ose jo. Por duket qartë se qasja e deritashme e Komisionit është një faktor kalçifikues për krizën aktuale dhe fatkeqsisht oksigjen për regjimin. Fatmirësisht Parlamenti Europian dhe Këshilli (shtetet anëtare) kanë dëshmuar herë pas here qasje realiste e parimore.
