NGA: ERMELINDA HOXHAJ
Mbrëmjen e djeshme ka qenë shansi i fundit i regjistrimit për kandidatët e shpallur fitues në fazën e dytë të aplikimit në universitet. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, atyre maturantëve që nuk janë regjistruar brenda datës 16 tetor, degët ku janë shpallur fitues do iu fshihen automatikisht nga sistemi. Ata do kenë mundësi të vijojnë garën për preferencat e tjera me uljen e vijës së kuqe. Nënfaza e parë e spostimit të vijës së kuqe nis sot, pra 48-orëshi i parë i regjistrimeve është 17-18 nëntor, duke iu dhënë mundësi atyre maturantëve që janë poshtë vijës që të regjistrohen në kuotat e paplotësuara. Maturantët i bëjnë verifikimet se sa afër vijës së kuqe janë nëpërmjet sistemin online “https://klasifikimi.ualbania.rash.al”. Në këtë portal ata mund të hynë vetëm nëpërmjet ID-së së tyre. Sipas ndryshimit të udhëzimit të MAS-it, nëse edhe në nënfazën tjetër, pra në datat 19-20 tetor, do mbeten vende të lira, regjistrimi do vijojë deri më datë 27 tetor 2016 për të plotësuar të gjitha kuotat e pranimit.

Fazat e regjistrimit
Sot pritet që, të gjithë kandidatët që do përfitojnë nga ulja e vijës së kuqe të sinjalizohen nga sistemi online i klasifikimit. Kandidatët të cilëve preferencat u kanë ndryshuar ngjyrë, pasi me vendet e lira ata janë shpallur fitues, tashmë kanë mundësi që të regjistrohen në sekretaritë mësimore të fakulteteve përkatëse.

Në udhëzimin nr.24/1, datë 12 tetor, përcaktohet se:
“Kandidatët që nuk janë regjistruar brenda datës 16 tetor, humbin të drejtën për t’u regjistruar në fazat e mëtejshme të parashikuara më poshtë në programet e studimit ku ata rezultonin fitues gjatë raundit të dytë. Pas mbylljes së regjistrimeve të raundit të dytë, në datat 17-18 tetor 2016, sekretaritë mësimore të universiteteve do të regjistrojnë, online dhe me dokumentacion, kandidatët sipas listave, pas zbritjes së vijës së fituesit të fundit. Kandidatët që rezultojnë fitues në këtë fazë dhe nuk regjistrohen, humbin të drejtën e regjistrimit në fazat e mëpasshme të konkurrimit për programet e studimit ku ata rezultonin fitues në këtë fazë.

Në datat 19-20 tetor 2016, sekretaritë mësimore do të regjistrojnë, online dhe me dokumentacion, konform numrit të kuotave të parashikuara për programin përkatës të studimit, kandidatët që rezultojnë fitues pas zbritjes së vijës së fituesit të fundit të fazës pararendëse, dhe për shkak të mosregjistrimit gjatë kësaj faze, brenda datës 18 tetor, kandidatët e tjerë pararendës fitues, duke respektuar renditjen në listat e fituesve të raundit të dytë. Në rast se konstatohen kuota të paplotësuara edhe mbas datës 20 tetor 2016, procesi i regjistrimeve online dhe me dokumentacion, vijon me faza 48-orëshe, konform numrit të kuotave të parashikuara për programin përkatës të studimit dhe duke respektuar renditjen në listat e fituesve të raundit të dytë. Këto faza vijojnë deri në plotësimin e kuotave të parashikuara, deri në datën 27 tetor 2016. Në çdo fazë regjistrohen kandidatët që rezultojnë fitues pas zbritjes së vijës së fituesit të fundit të fazës pararendëse për shkak të mosregjistrimit gjatë kësaj të fundit. Kandidatët nuk mund të regjistrohen në më shumë se një program studimi”.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: