NGA REXHEP QOSJA
ELITË INTELEKTUALE DHE POLITIKE APO ELITË KOLONIALE?
A kemi elitë intelektuale?
A kemi elitë politike?
Në qoftë se themi, Jo, s’kemi elitë intelektuale, atëherë do të na jepet përgjigje me plot hidhërime dhe dyshime:
– Si s’kemi elitë intelektuale kur kemi aq njerëz me fakultete, me magjistratura e me doktoratura, kur kemi aq krijues në fusha të ndryshme krijuese, artistike, shkencore, që njihen dhe gjithnjë e më shumë po çmohen në botë!
Në qoftë se themi, Jo, s’kemi elitë politike, atëherë do të na jepet përgjigje edhe me më shumë hidhërim edhe me më shumë dyshime:
– Si s’kemi elitë politike kur kemi politikanë e shtetarë me stazh të përjetshëm, që lindin e vdesin në poste, të çmuar në vend, të çmuar në krejt botën shqiptare dhe gjithnjë e më të çmuar edhe në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në botë në përgjithësi!
S’kemi elitë as të përkohshme e as të përhershme.
Në qoftë se në të dyja pyetjet e sipërshënuara përgjigjemi, prapë, Jo, s’kemi elitë, atëherë togfjalëshat nocionorë elitë intelektuale dhe elitë politike do të duhej, do të ishte mirë, t’i zëvendësonim me togfjalëshat nocionorë klasë intelektuale dhe klasë politike.
Nuk kemi elitë intelektuale dhe elitë politike evropiane, me vlera të përmbajtura në mendime evropiane dhe me vlera të përmbajtura në sjellje evropiane, vërtet evropiane, që aq shpesh i theksojnë me gojë e me shkrim, që aq shumë mendojnë se i kanë edhe disa intelektualë, edhe disa njerëz politikë.
E në qoftë se nuk kemi elitë intelektuale dhe elitë politike me vlera të përmbajtura në mendime dhe me vlera të përmbajtura në sjellje evropiane, vërtet evropiane, atëherë nuk e di se mund të thuhet: kemi një elitë intelektuale dhe kemi një elitë politike jo evropiane, po shqiptare, që do t’i bënte të mundshme dikujt tjetër të thoshte: elita jonë intelektuale dhe elita jonë politike është elitë provinciale.

Në fjalën elitë janë të përmbajtura disa vlera të veçanta, të cilat i quajmë evropiane, por të cilat nuk janë të përmbajtura në mendimet dhe në sjelljet e numrit më të madh të intelektualëve tanë e të numrit edhe më të madh të njerëzve tanë politikë. Ndryshe prej intelektualit evropian, me pavarësi të tillë të mendimeve e të sjelljeve, me identitet të tillë mendor dhe moral, intelektuali shqiptar tradicionalisht ishte dhe është servil, poltron, puthadorës, lehtë, madje vullnetarisht, i nënshtrueshëm ndaj pushtetit dhe ndaj pushtetarëve. Sociologët dhe psikologët dhe politikologët e thonë në studimet e tyre se kjo është prirje mendore dhe morale e intelektualëve orientalë në përgjithësi.
Dëshmitë për mendime dhe sjellje të tilla lehtë të nënshtrueshme të intelektualëve tanë kemi pa numër shumë, pothuaj në gjithë jetën tonë politike e shoqërore, pothuaj në gjithë historinë tonë prej se kemi njerëz të shkolluar, me fakultete, në trojet shqiptare, që tash e njëqind e katër vjet disa nga këto troje quhen Shqipëri, që prej mbas Luftës së Dytë Botërore disa quhen rreth, mandej autonomi, kurse prej vitit 2008 shtet i Kosovës.

Dëshmi për mendime dhe sjellje të tilla lehtë të nënshtrueshme ndaj pushtetit dhe ndaj pushtetarëve na kanë dhuruar gjithnjë jo vetëm ata me fakultete, jo vetëm të ashtuquajturit intelektualë të zakonshëm, por edhe intelektualët krijues, shkrimtarët, piktorët, skulptorët, kompozitorët, artistët e ndryshëm, studiuesit shkencorë, shkrimtarët e filozofisë e të teorisë. E të tjerë e të tjerë. Por, dëshmitë më treguese, kur më tragjike e kur më komike, për mendime dhe sjellje të tilla servile të krijuesve, më së shumti të shkrimtarëve dhe të studiuesve shkencorë, na janë dhënë në kohën e rendit politik shoqëror dhe kushtetutar juridik komunist, që quhet diktaturë, diktaturë staliniste në Shqipëri, kurse diktaturë vetëqeverisëse, në të vërtetë neostaliniste në Jugosllavi, prandaj edhe në Kosovë.
Përjashtimet prej këtij rreshti të nënshtruarish, që himnizonin Partinë e Punës Shtet në Shqipëri dhe Lidhjen e Komunistëve Shtet në Jugosllavi, prandaj edhe në Kosovën e pushtuar prej Serbisë dhe Jugosllavisë, ishin të rralla, të vogla, gati të padukshme.
Është thënë prej të tjerëve dhe vazhdon të thuhet prej të tjerëve se të jesh i shkolluar, të kesh fakultet, nuk do të thotë vetvetiu se je intelektual. Jo.
Është thënë prej të tjerëve dhe vazhdon të thuhet prej të tjerëve se të kesh magjistraturë a të jesh i doktoruar nuk do të thotë se je intelektual. Jo.
Është thënë prej të tjerëve dhe vazhdon të thuhet prej të tjerëve se diplomat e fakultetit, të magjistraturës, të doktoraturës nuk të bëjnë vetvetiu intelektual. Jo.
Është thënë prej të tjerëve dhe vazhdon të thuhet prej të tjerëve se të jesh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë apo i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës a të cilitdo shtet tjetër, të jesh i Akademisë Evropiane a të cilit do kontinent tjetër nuk do të thotë vetvetiu se je intelektual. Jo.

Pranimi në cilëndo Akademi të Shkencave a të Shkencave e të Arteve nuk të bën vetvetiu intelektual. Jo.
Nuk të bën intelektual sidomos pranimi në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës në të cilën prej gjithsej 24 anëtarëve të saj, 12 janë kryetar, nënkryetar dhe anëtarë të Kryesisë së një Partie e të dy partive simotra të saj, që me shkencë e me arte merren si Ziza e Kiza kur mbesin pa poste politike!
Intelektual të bën identiteti i yt origjinal mendor dhe moral. Nuk mund të quhet intelektual ai i cili interesat e përgjithshme ia nënshtron leverdive vetjake. Nuk mund të quhet intelektual ai, i diplomuar, i magjistruar a i doktoruar, ai në cilëndo Akademi të shkencave a të shkencave e të arteve qoftë i pranuar, që vishet e zhvishet nëntë herë në ditë për leverditë vetjake, por s’di ç’do të thotë togfjalëshi të mirat e përgjithshme publike. Jo.

Intelektual mund të quhet ai individ i cili e ka pranuar rrezikun që vetvetiu e përmban mospajtimi i shprehur publikisht e jo i fshehur nën flokë a nën flokë e kapuç me të këqijat, që mund të prodhojnë njerëz, organizata, parti, institucione, bashkësi organizatash, institucionesh a shtetesh.
Intelektual quhet ai individ, i cili e pranon rrezikun që e përmban kritika me gojë dhe me shkrim në mënyrë publike e padrejtësive, vjedhjeve, zhvatjeve, shtypjeve e të këqijave e delikteve të tjera, që bëjnë individë, shoqata, organizata, parti, institucione, bashkësi organizatash, institucionesh a shtetesh.
Intelektual quhet dhe është ai individ që me gojë e me shkrim, publikisht, ngre zërin kundër mashtrimeve, gënjeshtrave, shpifjeve, denoncimeve, fyerjeve që bëjnë pushtetarë, organizata, institucione, bashkësi organizatash a shtetesh.
Intelektual quhet dhe është ai individ i cili publikisht ngre zërin kundër pushtetarëve, organizatave, partive, shteteve, bashkësive të organizatave a shteteve siç ishin dikur Perandoria Otomane e Mbretëria Austro-Hungareze, kurse më vonë Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia, që përndjekin të tjerët, që përndjekin kundërshtarët, qofshin ata kundërshtarë politikë e ideologjikë, qofshin ata krijues të ndryshëm-shkrimtarë a artistë të tjerë, studiues shkencorë, filozofë. E të tjerë. A ka nevojë të theksohet se sa shumë na kanë munguar dhe se sa shumë na mungojnë individët e këtillë, kritikët e këtillë, mospajtuesit e këtillë me të këqijat politike, shoqërore, morale e të tjera, sesa shumë na mungojnë ata që quajmë intelektualë, elitë intelektuale.

Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë i madh numri i lexuesve të cilët nuk do të pajtohen me virtytet me të cilat është i pajisur ai që quaj intelektual në këtë krye të librit. Ndodh kështu sepse njerëz të ndryshëm e duan, e çmojnë, madje e adhurojnë nocionin elitë, qoftë kur ai u dhurohet intelektualëve, qoftë kur ai u dhurohet politikanëve, pavarësisht sa pajtohen e s’pajtohen ata me të këqijat politike, shoqërore, shtetërore, pavarësisht sa dinë të ngrenë a s’përtojnë të varin kokën e tyre. Cilëve individë mund t’u dhurohet e cilëve mund t’u mohohet nocioni, në të vërtetë vlerësimi elitë në historinë e në të tashmen tonë?

Përgjigjja në këtë pyetje ndoshta mund të jepet më qartë përmes pyetjeve dhe përgjigjeve.
Të provojmë.

A mund të quhet elitë këshilltari politik i Ali Pashë Tepelenës, i cili kishte ndikim të jashtëzakonshëm në të këshilluarin e tij, i cili e këshillonte atë se çka të bënte në situata të veçanta dramatike, i cili e këshillonte atë si të sillej ndaj shtetasve të ndryshëm dhe ndaj vizitorëve të ndryshëm, i cili e këshillonte atë si të sillej ndaj diplomatëve të ndryshëm, i cili e këshillonte kujt t’ia priste kokën e kënd ta varte apo ishte elitë Hasan Zuko Kamberi, i cili me mosdurim të madh i gjykonte sjelljet prej dhunëtarësh të pashallarëve dhe sjelljen prej puthadori të neveritshëm të këshilltarit të Ali Pashës?
A ishin elitë pashallarët shqiptarë që i shërbenin sulltanit dhe zbatonin të gjitha masat e dhunshme pushtetore që ai kërkonte ndaj popullit shqiptar apo ishin elitë Jani Vreto, Zef Jubani, Naim Frashëri dhe Sami Frashëri, që do ta gjykojnë të padurueshëm atë sundim pushtues dhe shërbëtorët e tij shqiptarë.
A ishte elitë, elitë politike dhe intelektuale, bejtexhiu që këndonte lumturinë e shqiptarëve në Perandorinë Otomane apo ishte elitë Anton Zako Çajupi, që shkruante për vuajtjet e shqiptarëve në atdhe dhe të shqiptarëve në mërgim, si pasojë e pushtimit nga ajo Perandori duke rrezikuar fatin e vet dhe fatin e veprave të veta?
A ishin elitë deputetët shqiptarë në Kuvendin e Perandorisë Otomane, që pajtoheshin me sundimin e xhonturqve, apo elitë ishte Hasan Prishtina që nuk pajtohej me atë sundim?
A ishin elitë ata shkrimtarë, ata gazetarë e ata publicistë që e këndonin dhe festonin me shkrimet e tyre Mbretërinë shqiptare të shpallur pas shuarjes së Revolucionit të vitit 1924 me dhunën e bellogardistëve të vendosur në Mbretërinë Serbe, Kroate e Sllovene apo ishin elitë Nonda Bulka, Petro Marko, Millosh Gjergj Nikolla, që me shkrimet e tyre, me sjelljet e tyre tregonin se sa ishin kundër Mbretit Zog dhe politikës së tij feudale?

A ishte elitë Ahmet Zogu me të gjithë bejlerët, agallarët dhe bajraktarët, që donin ta mbanin Shqipërinë në një gjendje feudale, që fitimin e kishin të vetmin qëllim, kurse fuqinë të vetmin mjet për sundimin feudal dhe për arritjen e atij fitimi apo elitë ishte Fan Noli që, si askush tjetër, me poezi e me publicistikë, e kishte ngritur zërin kundër pesë të këqijave, pesë anarkive në jetën shqiptare, që prodhonte politika e feudalit Ahmet Zogu me feudalët e tjerë:
kundër anarkisë fetare,
kundër anarkisë sociale,
kundër anarkisë morale,
kundër anarkisë patriotike,
kundër anarkisë së idealeve?
A ishte elitë Esad Pashë Toptani, i cili për t’u mbajtur në pushtet në një pjesë të Shqipërisë, ishte ngritur kundër Ismail Qemalit e gjithë Shqipërisë, duke ua shitur interesat e saj shtetërore dhe kombëtare Nikolla Pashiqit, Serbisë dhe Jugosllavisë, apo elitë kombëtare ishte Avni Rrustemi që në Paris do ta shpëtojë Shqipërinë prej atij vasali të Serbisë dhe tradhtarëve të mbledhur rreth tij?
Ne jemi fajtorë, ne qytetarët, ne, sovrani, pse kënga e servilizmit mendor vazhdon të këndohet në jetën tonë aq gëzueshëm edhe sot si dje. Qytetarët, sovranët e vetëm, do të duhej të kenë ilaçin politik e moral si për valltarët politikë të indoktrinuar, ashtu edhe për ata të rrahur me kamxhik.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: