POGRADEC- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pogradec, ku dy persona kanë tentuar të vjedhin një banesë dhe janë përleshur me pronarin, i cili ka marrë lëndime.

Ka qenë një qytetar që ka telefonuar policinë duke njoftuar se dy shtetas po tentonin të vidhnin një banesë.

Konkretisht mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00, është marrë një telefonatë se në fshatin Rëmenj, në banesën e shtetasit A.D, 37 vjeç, kanë hyrë dy persona për të vjedhur.

Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, si edhe forcat operacionale të DVP-Korçë të cilët bënë kapjen në flagrancë të shtetasit:
Erjon Ibi, 42 vjeç, banues në fshatin Çërravë-Pogradec.

Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin A.H, 40 vjeç, i cili ka mundur të largohet para mbërritjes së Policisë, kishin hyrë në katin e dytë të banesës dhe pasi janë diktuar nga pronari i saj e kanë hasur në rezistencën e tij, e kanë goditur këtë të fundit me një mjet të fortë duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

Shtetasi Erjon Ibi, ka mundur të marrë vetëm disa bizhuteri, të cilat iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga ana e Policisë, po punohet për kapjen e shtetasit A.H.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale parashikuar nga neni 139 dhe 25 të Kodit Penal.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: