Një 65-vjeçar i pastrehë kërkon që të jetojë në azil, por fati i rezervon herë pas herë qelitë e burgut. Ai është i moshuari më i vjetër që është dënuar disa herë për përndjekje. “Herën e parë u dënova pesë muaj burg, herën e dytë 1 vit e gjysmë, tani jam arrest me burg prapë”, u shpreh Gjergj Pergjivuka , i dënuar.

Ky është rrëfimi i Gjergj Pergjivukës. 65 vjeçari , që është i pastrehë, vitet e fundit i ka provuar disa herë burgun e prangat. Në të gjitha rastet ka përsëritur të njëjtin krim kundër një 36-vjeçareje. Siç thotë policia ai vazhdon ta përndjekë gruan me inicialet S.P, duke kërkuar marrëdhënie me të.
Por në përfundim të seancës së radhës kundër tij i moshuari këmbëngul se nuk është përndjekës.
“Më ka vjedhur lekët e pensionit. Më shihte tek zyra e pensionit e më thoshte: ‘A të bie ndërmend noj herë për mua’. Tre herë burg për të njëjtin person”, tregon 65-vjeçari, duke mohuar që ta ketë përndjekur.

I pyetur se si e përndiqte ai tregon: “Ajo ishte duke kaluar, unë po pija kafe. Burri i saj më kërcënoi, unë njoftova policinë. Policia mori dëshminë e asaj, mua më futën në burg”. Për paradoks i moshuari gjendet nën arrest shtëpie pa patur një adresë fikse, pasi nuk ka shtëpi. Por i moshuari shpreson që arrestimi i radhës ta gjejë një azil. “Durimi im ka mbaruar, i vetmuar, pa azil, mbeta rrugëve”, shprehet Gjergj Përgjivuka. Rekordin e dënimeve për përndjekje e mban i moshuari E. Gruda, i cili është dënuar 6 herë për të njëjtën vepër. Ndërkohë në total janë nën gjykim 22 të pandehur, prej të cilëve 14 janë të moshës së tretë./TCH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb