NGA OLA MITRE*

TIRANË- “Rreth 40-50 për qind e personelit në institucionet e përkujdesit shoqëror nuk ka kualifikimin e duhur për punën që bën, ndërkohë që edhe pas rekomandimeve të herëpashershme, pak është bërë për përmirësimin e situatës”. Deklarata e fortë vjen nga drejtori i Përgjithshëm i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Dritan Ylli, pak ditë pas skandalit në jetimoren e Shkodrës, ku u konstatua se 3 vajza të moshës 6, 8 dhe 11 vjeçe ishin abuzuar seksualisht.

Përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, kryeinspektori kërkon reflektim nga ana e institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që të shmangen situata të ngjashme në të ardhmen.

Z. Ylli, nga kontrollet e ushtruara nga institucioni që ju drejtoni, cila është situata në institucionet e përkujdesit shoqëror?

Nga inspektimet dhe monitorimet e kryera gjatë këtyre dy viteve, për herë të parë në gjithë qendrat e vendit, rezulton se gjendja në qendrat e përkujdesit jopublike është më e konsoliduar, si në mjedise, po ashtu dhe me staf profesionist, të cilët pa dyshim zënë pjesën më të madhe të shërbimeve që ofrohet për njerëzit në nevojë.

Për sa u përket institucioneve publike, mund të themi që institucionet në varësinë e njësive vendore, që janë 20, kanë probleme si në mirëmbajtjen e mjediseve dhe infrastrukturës, por ajo që është më shqetësuese, kanë mungesa të theksuara dhe mospërputhshmëri të pozicionit të punës me arsimimin dhe kualifikimin përkatës.

Në disa qendra ka probleme me standardet e mjedisit dhe infrastrukturës së strehimit, por nisur nga rekomandimet e inspektorëve të shërbimeve shoqërore dhe një shtesë fondi të menaxhimit të tyre, qoftë nga Shërbimi Social Shtetëror, apo dhe nga ndihmesa e çmuar e donatorëve të ndryshëm, ka një përmirësim të ndjeshëm.

Por, nga ana tjetër, ka një problematikë mjaft shqetësuese për sa u përket personelit dhe stafit shërbyes në qendër. Në disa qendra ka mungesë të punonjësit social apo psikologut, pasi nuk i është kushtuar kujdes emërimit të punonjësve me arsim përkatës, siç e thotë dhe kuadri ligjor për standardet e shërbimeve shoqërore.

Duhet të kemi parasysh se shërbimi në një qendër që strehon fëmijë jetimë apo të pambrojtur, që kanë probleme të ndryshme sociale, kërkon realisht një staf me arsim të posaçëm dhe të kualifikuar, që të kenë njohuri dhe metodikë të thelluar mbi mënyrën se si duhet të sillen me fëmijët. Në Shtëpinë e Fëmijës Shkollor në Shkodër, ku tashmë prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë dhe të dhimbshme të keqtrajtimit dhe dhunimit të fëmijëve, për tri vite mungoi krejtësisht punonjësi social.

Në harkun kohor të dy viteve, 2014-2015, inspektorët e shërbimeve shoqërore e kanë inspektuar katër herë këtë qendër. Kanë bërë rekomandime të përsëritura për Bashkinë e Shkodrës dhe autoritetet përgjegjëse, që të emërojnë punonjës socialë të mirëfilltë, por çuditërisht këto rekomandime kanë rënë në vesh të shurdhër.

Sa është numri i punonjësve të konstatuar pa kualifikimin e duhur dhe në cilat institucione janë të punësuar?
Gjendja e personelit është realisht shqetësuese. Nga inspektimet e bëra, rezulton që ka qendra edhe në Tiranë, me mungesë të punonjësit social apo me punonjës socialë “të ashtuquajtur”, por pa arsim dhe kualifikim përkatës. Por, me mungesa të theksuara të stafit të kualifikuar kemi qendra në të gjithë vendin. Për secilën prej tyre u kemi lënë rekomandimet përkatëse autoriteteve përgjegjëse, që të reflektojnë menjëherë për të vendosur një personel sipas arsimit përkatës dhe të kualifikuar për të kryer një shërbim të tillë.

Sipas një shifre të përafërt, numri i punonjësve të konstatuar pa kualifikimin e duhur është rreth 40-50 për qind, por problemi thelbësor qëndron se brenda kësaj shifre janë figurat kryesore profesionale, si: punonjës social, psikolog, edukator, mjek psikiatër, të cilët pa dyshim ulin cilësinë e shërbimeve dhe trajtimit në qendrat e përkujdesit.

Këto fakte të çojnë te konkluzioni, që këto qendra janë parë si mundësi punësimi të personave me lidhje të ndryshme interesash, duke mos emëruar persona që u përputhet arsimi përkatës me pozicionin e punës.

Sa kohë ka që janë kryer këto konstatime?
Këto konstatime janë kryer në vijimësi gjatë këtyre dy viteve të fundit, përgjatë inspektimeve tërësore që u është bërë qendrave të përkujdesit social në gjithë Shqipërinë. Për disa qendra ne kemi kërkuar edhe pezullimin e licencës së ushtrimit të aktivitetit, siç ka qenë për shembull, Shtëpia e Shpresës në Elbasan, apo dhe ndonjë tjetër.

Por, Inspektorati mund të kërkojë heqje licence apo pezullim të aktivitetit për ato qendra ku situata është ekstreme (për shembull, infrastruktura është aq e rrezikshme, saqë mund të rrezikojë jetën e të strehuarve në të).

Çfarë rekomandimesh janë bërë prej Inspektoratit në drejtim të institucioneve përgjegjëse?

Rekomandimet janë bërë për Njësitë Vendore, për Shërbimin Social Shtetëror dhe sigurisht është vënë në dijeni edhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Rekomandimet kanë qenë kryesisht për zëvendësimin e punonjësve të pakualifikuar dhe pa arsimin e duhur të tyre me punonjës profesionistë me arsimin përkatës dhe eksperiencë pune në shërbimet shoqërore.

Gjithashtu, edhe për sa u përket vendeve të lira, kemi rekomanduar që të plotësohen menjëherë me punonjës profesionistë, pasi këto vende vakante ndikojnë në uljen e cilësisë së shërbimeve. Sigurisht që ka pasur në vijimësi edhe vërejtje dhe rekomandime për përmirësimin e kushteve të infrastrukturës dhe mjedisit të strehimit të fëmijëve apo dhe shtresave të tjera të pambrojtura që strehohen në këto qendra rezidenciale, apo ditore qofshin.

A ka pasur reagim prej tyre?
Nuk ka pasur reagimet e duhura. Sidomos nga njësitë vendore kanë qenë krejtësisht minimale, për të mos thënë që janë injoruar fare. Pas çdo inspektimi janë lënë rekomandime dhe ka pasur edhe nga dy, tre, apo dhe katër inspektime për një qendër, për të parë realizimin e tyre. Por, për fat të keq, sidomos për vërejtjet dhe rekomandimet që janë bërë për plotësimin e duhur të personelit, edhe pse kanë qenë shumë të qarta dhe konkrete, ka pasur gjithnjë indiferencë dhe vesh të shurdhër. Por, për ne është e rëndësishme që të gjithë aktorët dhe faktorët të mos përpiqen ta hedhin topin e përgjegjësisë te njëri-tjetri, por të ketë një bashkëpunim dhe reflektim të të gjithëve.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: