Në një intervistë për “BalkanWeb” me gazetarin Erjon Skëndaj, deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji e cilësoi skandal procedurën e përshpejtuar për futjen në kalendar të pr.ligjit që i hap rrugë ndërtimit të Teatrit të ri. Madje sipas Salianjit, është bërë çmos që ky pr/ligj të mos kalonte më nga Komisioni i Medias, së drejtuar nga demokratja Albana Vokshi.

INTERVISTA E PLOTE
Është kaluar me procedurë të përshpejtuar pr/ligji për teatrin, që ju e keni kundërshtuar me forcë, që ka sjellë debate mes aktorëve, bashkisë etj. Çfarë ndodhi sot, pse ky vendim i përshpejtuar?
Sot ishte pushkatimi pa gjyq dhe në mënyrë të përshpejtuar i ndërtesës së Teatrit Kombëtar por edhe i gjithë mendimit ndryshe, ose dominant i artistëve, qytetarëve e arkitektëve që nuk janë punonjës të qeverisë, që ajo godinë duhet të ruajë identitetin e saj si godinë historike e qytetit të Tiranës, pasi përbën trashëgiminë kulturore të këtij qyteti. Kudo përpiqen të ruajnë e të ndërtojnë historinë, ndërsa Tirana i ka disa godina por qeveria për shkak të një partneriteti me privatin e cila i jep qeverisë bashkë me privatin më shumë se sa 205 mln euro, sipas analizave të bëra nga inxhinierë, e ka kaluar në seancë në mënyrë të përshpejtuar. Qeveria nuk ka respektuar nga ana proceduriale, siç ndodh me çdo pr/ligj. Sot qeveria nga nguti e harbutëria për të vjedhur gjithçka, e ka kaluar pa respektuar ligjin. Përveç kundërshtimit tonë në seancë, këtë akt të parlamentit kushdo do e çonte në Gjykatë Kushtetuese, kjo e fundit nuk ekziston. Qeveria ka krijuar një situatë pa gjykatë kushtetuese, pa gjykatë të lartë, duke e mbajtur peng drejtësinë. Që kur të vijë puna për miliona euro, të kalohet në mënyrën që u bë në seancë. Çfarë ka ndodhur tjetër që e bën akoma më të rëndë? U shpërnda 1 sekondë para se të votohej sot projektligji. Në momentin që ne kërkuam pse nuk ka ardhur, për sy e faqe sollën një sekondë përpara, dhe m’u duk skandaloze që Komisioni përgjegjës i artit dhe kulturës ja kanë hequr dhe ja kanë lënë në përgjegjësi Komisionit të veprimtarive prodhuese, se ç’lidhje ka ky komision nuk e di. Vetëm hajdutë me çizme si këta e dinë lidhjen. Shkon dhe në dy komisione të tjera, por që shmangin komisionin e kulturës.

Veliaj tha një ditë më parë se është arritur dakordësia me artistët, ndoshta kjo është arsyeja që u përshpejtua…
Ky është mashtrim. Kushdo që është i vëmendshëm, por dhe artistët që nuk janë drejtues, po që kanë nxjerrë një listë me firma të aktorëve, ata janë në pjesën më të madhe, një pjesë janë këngëtarë, s’kanë lidhje fare me artin, disa të tjerë janë drejtorë të qeverisë. Nuk mund të jenë artistë ata që janë palë me qeverinë. Pjesa e tjetër e artistëve që nuk janë rrogtarë të qeverisë kanë mendim ndryshe. Por çfarë thoshte kryetari i Bashkisë dje? Nuk thotë që nuk do të ketë kulla? Thotë që sipër Teatrit nuk do të ketë kullë. Kjo dihet se sipas projektit nuk ka kullë sipër teatrit, por ka pas tij.

Por ka thënë që nuk do të ketë ndërtime në territorin e Teatrit..
Po këto janë mashtrime për të ndarë mendimin e artistëve. Është armë mashtrimi i kryetarit të Bashkisë. Gjithsesi procedura parlamentare, ligjore do të ndiqej po njësoj, se nuk kalon në procedurë ekstra.

Ju si do të veproni, ia keni dërguar dhe organeve ndërkombëtare..
Ky është viti i trashgimisë kulturore. Përkon edhe me shkatërrimin e një prej objekteve të trashwgimisë kulturore siç është godina e Teatrit. Jo vetëm jemi ankuar te ndërkombëtarët, por kemi qenë në mbështetje të aktorëve dhe artistëve për këtë rast, po ashtu do të jemi në mbështetje të të gjithë qytetarëve të Tiranës që nuk do ta lejojnë të shkatërrohet një godinë simbol për kryeqytetin. Qeveria synon ta bëjë me nxitim tani në këtë periudhë që vijnë pushimet me idenë që nuk do ketë qytetarë në qytet, e këta mund t’i vendosin tritolin e ta pushkatojnë historinë e qytetit dhe të mbushin xhepat me 205 mln euro. Me këto para blihen zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ju keni ndërmarrë aksion për Teatrin?
Ne kemi pasur aksion dhe do të kemi siç e kemi pasur deri më sot, kundërshtim të këtij vendimi. Hap pas hapi do ndjekim të gjitha vendimmarrjet tona për këtë territor që të mos jepet për interesa klienteliste.

Në seancën parlamentare morët një Toyota Yaris dhe dy çanta, pse?
Kishte debat për integrimin në Kuvendin e Shqipërisë ndërkohë që gjithçka që ndodh në këtë vend bën sikur harrohet. Një nga arsyet që u dha në këshillin e ministrave të vendeve të BE për të mos u marrë parasysh kërkesa, ishte për mungesën e luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsioni i lartë mosndëshkueshmëria, dhe mospasja e një reforme të plotë në drejtësi, ishin arsyet që e penguan marrjen në shqyrtim të vendimit. Sot shkova në Kuvend me një Toyota Yaris për shkak të asaj që u kap në Durrës, për të treguar në mënyrë figurative që integrimin europian të Shqipërisë e kanë bllokuar Toyota-t me para apo kamionët me drogë që përdoren për një grusht të vogël njerëzish por që nuk sjellin zhvillim në Shqipëri. Këtu e them për herë të parë, që çantat i lashë në korridoret e Kuvendit për t’u kontrolluar e më pas t’i fusja në seancë t’i merrja kur të kisha fjalën, por me sa u duk, qeveria e Rilindjes, nëse shikon para i bëjnë sytë xixa dhe i kishin vjedhur dhe ato që ishin para fallco. Nuk i gjeta më. Kishin kartëmonedha fallco, po mesa duket po panë ngjyrë paraje, nuk i shmangen dot vesit për t’i vjedhur. Kjo ishte një pjesë e simbolikës së sotme, por pjesa tjetër shoqërohej ma fakte konkrete, ku raporti i OKB-së për drogërat e rendiste Shqipërinë të parën në botë për përdorimin e kokainës, madje dhe Kolumbia që është prodhuesi më i madh i kokainës në botë ishte 5 herë më pak përdourese se sa Shqipëria. Shifra dramatike për të ardhmen e Shqipërisë, se përdoruesit janë të moshës 15-30 vjeç. I thashë ministrit që mburret për luftën ndaj kanabisit, që Guardia di Finanza ka kapur më shumë ton drogë se asnjëherë, droga nuk është e vjetër por e kohëve të fundit. E thoshte gazeta franceze “Liberation”. Janë kapur 30 ton drogë. Sot po e përdorin prokurorinë për mbylljen e çdo skandali. Qeveria nuk do të përballet me situatën se është e lidhur drejtëpërdrejtë. U shty me 1 vit jo hapja e negociatave, por shqyrtimi i vendimit për të marrë në konsideratë hyrjen e Shqipërisë.

Komisioneri Hahn thotë tjetër gjë, që ka datë konkrete. Edhe përfaqësuesja e BE thotë që ka një axhendë konkrete, fillon e puna dypalëshe me Komisionin.
Gjuha që përdor BE është një gjuhë diplomatike, nuk do dekurajojë cilindo vend, por qytetarët shqiptarë duhet ta dinë që Shqipëria sot është e fundit. Serbia e Mali i Zi e kanë marrë vite përpara hapjen e negociatave. Ne jemi të fundit në rajon. Maqedonia ka ngelur vetëm për shkak të problemit të emrit që kishte me Greqinë, por që na ka parakaluar çdo vend i rajonit. Është inkurajim për të kaluar reforma por që ka kushte të qarta. Por ata thonë që për vitin tjetër keni: luftën ndaj korrupsionit, ndaj krimit dhe reformën në drejtësi. Thuhet në raport që s’ka asnjë zyrtar të lartë të arrestuar, përfaqësues të PS. Nuk ka luftë ndaj krimit se nuk ka një bandë të strukturuar kriminale.

Kryetari juaj ka bërë një akuzë shumë të rëndë, ai ka deklaruar një javë më parë, para çështjes së Toyota Yaris se kreu i grupit parlamentar socialist Balla qëndron prapa një trafiku të madh parash të botës së krimit e që trafikohen me Toyota. Ju personalisht i qëndroni kësaj akuze?
U faktua nuk është se është akuzë. Kryetari i opozitës ka njoftuar që një javë më parë që në Toyota Yaris po qarkullojë para të pista 1.5 mln që të bëhet propagandë pro-qeveritare për negociatat. Katër ditë pasi kryetari i opozitës e paralajmëron, në një Toyota kapet një shumë edhe më e madhe parash 3.5 mln euro. Ky është fakti. Sinjalizimi është nga partnerët ndërkombëtarë. Opozita nuk është prokurori, gjykatë. Ne kemi fjalën, që na ka dalë. Siç thoshim për avionët, si për lidhjet e Tahirit me bandën e drogës. Ne kemi denoncuar të gjitha skandalet. Ato paratë kanë qenë të sinjalizuara. Por ka banditë që edhe pas denoncimit të opozitës kanë guximin t’i çojnë në port të Durrësit, kjo do të thotë që garancia nga qeveria është e fortë. Po të kishte një polici profesionale dhe të mos kishte lidhje me krimin do të gjurmonte paratë dhe do të shihnin ku do shkonin, do shihnin a do shkonin tek qeveria apo në një biznes tjetër, apo bandë. Por i kapën direkt aty. Qytetarët shqiptarë ende nuk e dinë se çfarë u bë me 180 mln euro kokainë që u kapën në një kompani në Durrës. Janë arrestuar vetëm dy shoferë. Është e turpshme që prokuroria përdoret nga qeveria për t’i vendosur kapakun pusetës, por era vjen ngado, e korrupsionit e parave të pista.

Ju vetë keni fakte të tjera nëse nesër ju çojnë në gjykatë për shpifje?
Çdo fakt që kemi nuk e mbajmë sekret. Nëse nuk do publikohej nga kryetari i opozitës ato do kalonin si tonelata me para se paratë këtu nuk numërohen por peshohen me kg tani se përtojnë, kanë kaq shumë euro sa përtojnë t’i numërojnë. Fakti që nuk kontestohet dot është euro, është euro për shkak të aktivitetit kriminal pavarësisht se këtu një pjesë e madhe e kompanive janë të huaja dhe kanë kërkesë për euro se fitimet i nxjerrin jashtë, këtu euro është në rënie. Pavarësisht se Banka e Shqipërisë ndërhyn dhe blen 130 mln euro kredi të BERZH-it duke tërhequr euro nga tregu, prapë niveli i euros mbetet në nivelet më të ulëta historike për shkak të futjes së parave të pista. Ne nuk ndalemi para asnjë fakti por i paraqesim kur i kemi të verifikuara.

Partnerët ndërkombëtarë kishin kohë që e hetonin këtë çështje?
Kjo është në dijeni të kryetarit të opozitës dhe partnerëve dhe nuk kam më shumë info për këtë rast.

Duke ditur se jeni shumë në brendësi të këtyre skandaleve të politikës së ditës, të kohëve të fundit, mbaj mend çështjen e Babales që u bë dhe këngë
Çështja është që nuk ka të bëjë Babale apo Baballa. Babalja thotë diçka që i shërben publikut dhe jo vetëm i shërben por Albert Veliu ka mundur të çojë pas hekurave vëllain e ministrit të Brendshëm. Ministri ka 2 muaj që bën çdo gjë për ta mbyllur historinë e vëllait të vet. Nëse nuk do ishte i përfshirë dhe vet do kishte dhënë dorëheqjen. Ta dini që Xhafaj i dorëhequr, me ministër të ri në këtë vend, do të ishte në burg për favorizim të krimit. Hetimi është shkatërruar dhe po bëhet një hetim për të ngarkuar me përgjegjësi ata që denoncojnë dhe jo ata që e kryejnë krimin. Këta kënë një kulturë, që nëse vjedh, nëse shkatërron, nëse mashtron ti je i zoti. Këta janë të papërgjegjshëm, edhe faktet t’i kthejnë në të kundërt. Këto janë simptoma diktatoriale.

Debati i komisionit parlamentar të shëndetësisë. Dokumentuat me shkresë zyrtare një dënim të marrë në vendim gjykate për një nga personat pronarë të Toyota Yaris.

Atë ditë diskutohej për dhunën në familje, dhe ne bëjmë sikur bëhet nami aty që prodhohen ligje dhe shkruhen gërma kot se ato nuk zbatohen. Shqipëria jo se s’ka ligje por nuk zbatohen prej korrupsionit. Ai i Toyota-s ishte dënuar me 6 muaj burg nga Gjykata e Apelit, kishte pas edhe dënim për rrahjen e djalit dhe të bashkëshortes. Ka qenë edhe në arrest shtëpie. Ka pasur dënim për arrest shtëpie të pashlyer. Këta mund të rrahin, mund të bëjnë trafik droge, mund të vrasin e nuk i gjen asgjë. Ky ishte reagimi i asaj dite në komision e këto janë të faktuara.

Në debat bëtë edhe një deklaratë për një dosje për Spiropalin?
Kanë qenë dy ndërhyrje që u bënë nga dy deputete atë ditë dhe drejtuesja e komisionit atë ditë nuk e kupton që aty është e barabartë me gjithë të tjerët. Nuk mund të kërkoja të bëja sherr të merrja fjalën me forcë. Kur ndërhynin deputetët, u thashë për fakte që po përpunohen e dokumenta zyrtare që përfshinin një prej njerëzve të deputetes që fliste. Ky ishte çelësi që të qetësoheshin. Tregon që deputetët e PS dinë më shumë për ne për zullumet që kanë bërë vetë.

Ata kanë publikuar një foto që kompromenton liderin tuaj, me vëllain e një prej personave të ndaluar?
Ne që jemi në politikë, mund të jemi kudo mes njerëzve. Ne bëjmë foto me persona që nuk i njeh. Foto e asaj dite më kujtohet është dita e hapur e PD me rastin e 26 vjetorit të themelimit të partisë. Të gjithë qytetarët hynin në seli.

Nëse jeni të bindur që negociatat nuk do të hapen as qershorin e 2019-s, si do të vazhdojë aksioni opozitar? I jeni larguar protestave?
Kjo do jetë vendimmarrje e strukturave të PD, nuk pritej të shkonim në këtë histori. Qeveria të marrë përgjegjësinë, kur dështon para një provimi të madh, thuaj që për këto 5 probleme i kërkon ndjesë shoqërisë dhe largohet. Por këta e shohin si triumf. Kapet Toyota, shitet si sukses. Kapet ish-ministri i Brendshëm, kapen avionë, këtu shtiren sikur janë të gjitha suksese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb