Zëvendëskryeministri i Kosoves, Fatmir Limaj ka folur për Express lidhur me viziten e tij në Bruksel më 18 korrik së bashku me presidentin Hashim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë të shtetit. Ai ka thënë se nuk është formuar asnjë Ekip Negociator, duke bërë me dije se në Bruksel po shkojnë për të treguar se janë të bashkuar për hir të Kosovës. Ai thotë se në takimin që është bërë me përafruesit e koalicionit qeverisës nuk është diskutuar fare formimi i Grupit Negociator.

“Nuk është asnjë bindje apo diçka e tillë. Ne të mërkurën do të udhëtojmë si përfaqësues të shtetit dhe ky nuk është ndonjë Ekip Negociator. Ne edhe sot në takimin që e kemi zhvilluar me përfaqësuesit e koalicionit qeverisës nuk kemi fol për Ekip Negociator, jemi pajtuar që në Bruksel të shkojmë si përfaqësues të shtetit dhe te flasim atje për çështjet e vendit. Do të flitet kryesisht për vizat dhe tema të tjera. Shkuarja në Bruksel ka të bëjë me faktin se ne si shtet i Kosovës po tregojmë se jemi për dialog dhe se nuk jemi kundër dialogut”- ka thënë Limaj.

Limaj ka thënë se Ekip Negociator do të bëhet kur të votohet ai në Kuvendin e Kosovës.

“Në presim që në ditët në vazhdim mes bisedimeve mes pozitës dhe opozitës të behët Grupi Negociator dhe me pas të fillojë dialogu me Serbinë. Pasi të behët ky Grup ne edhe do të flasim për tema konkrete në Bruksel”- tha Limaj.

Ai ka treguar gjithashtu se të mërkurën ata do të takohen vetëm me Frederica Mogherinin dhe jo Aleksandër Vucicin.

“Jo, jo. Ne nuk do te takohemi me Vucicin. Ne do të takohemi vetëm me Mogherinin me të cilën do të flasim për shumë tema që janë në të mirë të qytetarëve të vendit”- tha Limaj.

Limaj është i bindur se nga Brukseli do të sjellin lajme të mira për qytetarët e Kosovës.

“Do të kthehemi me lajme të mira për vendin. Do të këtë lajme të mira për qytetarët sa i përket çështjes së vizave”- tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: