TIRANE- Presidenti Ilir Meta brenda një kohe të shkurtër i kthen Kuvendit për rishqyrtim edhe një tjetër ligj. Pas ligjit të Teatrit, Presidenti me anë të një dekreti rikthen për rivotim në Kuvend ligjin për tatimin mbi të ardhurat duke shprehur rezerva për nenin 6 që trajton tatimin e lojërave të fatit.

Ndryshimet e ligjit u miratuan në muajin Korrik me paketën e re fiskale, ku tatimi mbi të ardhurat 15% nuk do të llogaritet mbi xhiron, por mbi të ardhurat bruto, duke zbritur shumën që ju shpërndahet lojtarëve fitues.

Presidenti ka sjellë në vëmendje dy argumente se përse nuk ka dekretuar këtë ligj dhe nenin 6 të tij.
E para sepse ul barrën fiskale për këtë industri që aktualisht nuk paguan as TVSH dhe nuk sjell ndonjë përfitim ekonomik për buxhetin.

“Sipas nenit 6 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat barra fiskale e tatimit ulet nga 15% mbi xhiron, në 15% mbi fitimet bruto. Në mungesë të arsyetimit për qëllimin ekonomik dhe social të iniciativës për miratimin e nenit 6 është qartësisht e evidentueshme që përfituesi real i këtij reduktimi fiskal është vetëm operatori/ët ekonomikë që zhvillojnë aktivitetin e tyre në fushën e lojërave të fatit, ndërkohë që as buxheti i shtetit, dhe as ekonomia në tërësi nuk përfitojnë nga aplikimi i këtij neni”.

Gjithashtu Presidenti ka nënvizuar se trajtimi që iu bëhet në këtë rast lojërave të fatit nuk ndihmon në arritjen e objektivit për dekurajimin e këtij aktiviteti.

“Së dyti, miratimi i nenit 6 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi, në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojërave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare”.

Ndryshimi i fundit ligjor që është rikthyer për rishikim u interpretua nga financat si një saktësim për të harmonizuar atë me ligjin bazë të lojërave të fatit që u miratua në vitin 2015.

VENDIMI:

Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr. 10850, datë 30.07.2018, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji, bazuar në  argumentat e mëposhtme :

1.            Ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë që ky nen nuk është në interes të publikut, si dhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit apo në ekonominë familjare janë negative.

2.            Miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare.

Institucioni i Presidentit të Republikës, ka vlerësuar se aplikimi i barrës së lehtësuar fiskale ndaj operatorëve në fushën e lojrave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi, përkundrejt dramave sociale dhe konflikteve në familje që janë shkaktuar në vijimësi nga pjesëmarrja në lojrat e fatit.

Argumentat e shtjelluara mbi kthimin për rishqyrtim të nenit 6, të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, mund t’i gjeni në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit të Republikës
http://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin-per-rishqyrtim-ne-kuvend-te-ligjit-nr-39-2018-arsyet-e-kthimit-te-ligjit/
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb