TIRANE- Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit në Këshillin e Evropës, njeh progresin e bërë nga Shqipëria për parandalimin e korrupsionit te parlamentarët, gjyqtarët dhe prokurorët, por kërkon ende përmirësim dhe realizimin e reformave në pritje.

Në raportin e publikuar këtë të enjte, për vitin 2018, GRECO vlerëson se Shqipëria ka përmbushur plotësisht katër nga dhjetë rekomandimet e lëshuara në raportin e tij të vlerësimit më 2014; gjashtë të tjerat janë zbatuar vetëm pjesërisht. Raporti e konsideron si hap pozitiv krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si autoritet përgjegjës për trajtimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe inicimin e procedurave disiplinore kundër gjykatësve, edhe pse vë në dukje se posti është ende bosh.

Në raport shprehet keqardhje, ndërkaq, për vonesat e vazhdueshme në vlerësimet periodike të gjyqtarëve.

Sa u përket prokurorëve, raporti thekson përparimin në strukturën ligjore për vlerësimin e tyre, e cila do të përfshijë më shumë kritere në lidhje me integritetin dhe standardet etike, edhe pse Këshilli i Lartë Prokurorial, i cili do të jetë përgjegjës për vlerësimin e prokurorëve, nuk është themeluar ende.

Po ashtu Raporti e cilëson si hap pozitiv shkurtimin e periudhës së kontrollimit të deklaratave të pasurisë nga ana e deputetëve, si dhe publikimin e tyre në ueb-faqe zyrtare.

Raporti i fundit e cilëson si hap të rëndësishëm miratimin e Kodit të Sjelljes për Anëtarët e Parlamentit, në prill të vitit 2018. Megjithatë, në raport shprehet keqardhje për mungesën e qartësisë në lidhje me zbatimin e këtyre rregullave dhe sanksionet në rast të shkeljes, të cilat nuk përmenden shprehimisht në tekstin e Kodit të Sjelljes.

Raporti i Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës e mirëpret faktin që, në kuadër të paketës së reformave, roli i presidentit të Republikës në emërimin formal të gjykatësve të Gjykatës së Lartë është kufizuar, me propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Zhvillim tjetër pozitiv, sapo të përfundojë reforma, është se funksionimi i administratës gjyqësore nuk do të jetë më përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, por e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe se ky i fundit do të jetë përgjegjës për vendosjen e standardeve etike dhe monitorimin e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb