KAVAJE- Dëshmi, foto nga vendngjarja dhe një realitet i hidhur vjen nga Karpeni i Kavajës, aty ku 58-vjeçari Sami Metushi vrau mëngjesin e sotëm me thikë gruan me të cilën kishte krijuar familje, e bashkë kishin ndarë hallet e përditshme.
Të afërmit e tyre, që kanë hapur tashëm dyert e mortit thonë se burrë e grua grindeshin shpesh dhe shkak ishin gjithnjë mosmarrëveshjet ekonomike.
Gazetari Klajdi Bodlle ka siguruar për “BalkanWeb” fotot e çiftit Metushi.
Ata shfaqen të qeshur përpara oborrit të shtëpisë së tyre modeste, ndërsa pas tyre një tufë gjelash deti, si për të na treguar se kjo ishte e vetmja mundësi për të fituar pak para.
Samiu dhe Sosja ishin prindër të pesë fëmijëve, 3 djemve dhe dy vajzave, të cilat pas divorcit ishin kthyer në shtëpinë e prindërve duke i shtuar më shumë hallet.
Të dy mundoheshin me mish e shpirt të siguronin sa më shumë të ardhura nga bujqësia e blegtoria, përveç rritjes së gjelave të detit, siç dëshmojnë të afërmit, kishin edhe një serë afër banesës, me fitimet e së cilës, përballonin jetesën
Ndërsa sot shkak për sherrin siç bëjnë me dije për “BalkanWeb” burimet policore është bërë një zënkë e momentit. Samiu i ka kërkuar llogari të shoqes për një palë pantallona të paqepura dhe aq ka mjaftuar që situata të dalë nga kontrolli.
“Pse nuk i ke qepur pantallonat”,- janë këto fjalët e fundit që ka thënë, raporton BalkanWeb.
Ndonëse 57-vjeçares Sose Metushi iu dha ndihma e menjëhershme ajo s’mundi të mbijetonte. Policia e Kavjës e arrestoi burrin vrasës menjëherë pas ngjarejs.
(m.a/BalkanWeb)