Kush më shumë se ata që ishin afër në ditë të mira dhe të këqija mund ta ndiejnë dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetares Adelajda Xhamani. Shoqja e saj e ngushtë, ish-kolegia, gazetarja e ‘Gazeta Shqiptare’ Fatmira Nikolli i ka kushtuar një mesazh të ndjerë Adelës.

Nga: Fatmira Nikolli
Adelë, a kishte të drejtë Brian Weiss për “Shpirtin”? Tani mund të ma thuash me siguri. Prej orëve të natës së të dielës, veçse po bëhet më e vështirë dhe ne po bëhemi më të dobët, siç na thoshe. Unë nuk kam më forcë të zihem me njerëzit për ty, por po e bëjnë Eraldo dhe Iva.

Adelë, Bardhi me Sanijen na kanë lënë të marrim vendime për ty. Nuk e dimë nëse kemi bërë zgjedhjet e duhura, nuk do mund ta dimë kurrë; jemi përpjekur të bëjmë ato që ti do doje, duke menduar se e kemi ditur deri në fund se çfarë doje. Oborri yt i ngjante vërtetë “Cinema paradisos” së Tornatores, siç më thoshe, por ishte i shkretë.

Adelë, majmunët kanë nxjerrë disa teori, si për të vërtetuar teorinë e Darvinit, se vijmë vërtetë nga majmuni. Sepse Adelë, ne të katërt e dinim, se majmunët janë mësuar të kacavirren në jetët e të tjerëve, në punët e të tjerëve, në dhimbjen e të tjerëve; se Adelë ne e dimë që majmunët bëjnë pazar me vdekjen, shesin me vdekjen, fitojnë para me vdekjen dhe nuk besojnë dot se veç majmunëve ka edhe njerëz që kanë jetuar thjeshtë, si ti, dhe se s’kanë asgjë për të fshehur, si ti.

Se majmunët aq dinë, aq bëjnë; të mjerë patetikë e histerikë, me mendime mjerane; se majmunët i dinë të gjithë majmunë- si veten, se janë të ligë, të vegjël, të pamend, të pashpirt, nuk besojnë në Zot, as në jetë të përtejme, nuk njohin parime, nuk njohin kufij, nuk kanë respekt për dhimbjen.

Adelë, nuk ia vlen të jesh si ne, e kemi ditur gjithmonë. Ne kemi zgjedhur anën e drejtë, por ana e drejtë nuk është ana e duhur. E kemi ditur gjithnjë dhe po paguajmë koston e lirisë sonë- lirisë për të qenë ne, pa shtrirë duart, pa lypur, pa lëpirë. Por majmunët nuk të lënë as të prehesh në paqe, majmunët nuk njohin paqe e pylli ka derra dhe derrat duan llucë. Ne e dimë që nuk i doje këto qurravitjet e facebookut dhe nuk do ta bënim kurrë, por na detyrojnë të hakërrehemi për ty, se nuk po na lënë në dhembjen tonë.

Adelë, kishe të drejtë. Sylvia Plath është depresive, nuk e lexoj më- dhe Paloma Faith e thotë 15 herë refrenin, e paskëshim numëruar mirë.

Në fund, faleminderit që ishe pjesë e jetës sonë, kam qenë me fat që të kam njohur, oh sa me fat; dhe më fal mua dhe na fal ne të treve, nëse nuk ia dolëm të ishim sa duhet me ty dhe na fal që qemë vonë, qemë vonë për herë të parë në jetën tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: