TIRANE- Polici privat i bankës së nivelit të dytë brenda Hipotekës së Tiranës, aty ku ndodhi edhe grabitja e dy ditëve më parë ka dhënë dëshminë e tij në polici, të cilën ka mundur ta sigurojë për “BalkanWeb” gazetari Klajdi Bodlli.

I akuzuar nga policia se ka shpërdoruar detyrën duke mos neutralizuar grabitësin e armatosur dhe të maskuar që mundi të grabisë 500 mijë lekë nga banka, F.F., 48 vjeç tregon se e ka pasur të pamundur një gjë të tillë.

“E kisha të pamundur të veproja për ta kapur. Ai më kapi në befasi dhe më kërcënoi që të mos lëvizja, në të kundërt do të më vriste. E kisha të pamundur të lajmëroja edhe operatorin e qendrës apo policinë”,- mësohet të jetë shprehur 48-vjeçari nga Kashari.

Policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për edhe shtetasin R. K., 61 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë operator i qendrës së kontrollit SHPSF-së.

Këto masa u morën pas ngjarjes që ndodhi të hënën në orën 14:05, në rrugën “Panorama”, brenda godinës së ZVRPP-së, ku një person me kapuç, ka vjedhur nën kërcënimin e armës një sasi lekësh në Agjencinë e filialit të një Banke te Nivelit të Dytë, që ndodhej në sallën e shërbimit e cila ishte në ruajtje të policit privat me iniciale F.F.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb