DURRES- Policia Rrugore në Durrës ka dhënë detaje rreth aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e së enjtes në autostradën Tiranë-Durrës. Gazetarja e “News24” dhe “BalkanWeb”, Klodjana Haxhiaj mëson se përgjatë 12 kilometrave që Dashnor Deliallisi lëvizi në sens të kundërt në autostradë ka ndeshur edhe një tjetër makinë, por drejtuesi i saj ka mundur ta shmangë përplasjen, duke devijuar.

Fatkeqësisht të njëjtin fat nuk e patën 3 vajzat që udhëtonin me “Benz”-in që drejtohej nga 23-vjeçarja Greta Sherifi, që u përplas kokë më kokë me makinën që drejtohej nga Deliallisi. Aksidenti ka ndodhur në një kthesë dhe asnjëri prej drejtuesve nuk kishte fushëpamje për të shmangur përplasjen.

Policia rrugore e Durrësit bëri të ditur se patrulla me 4 policë, 2 të rendit dhe 2 të rrugores, ishte ngritur pranë një pike karburanti me porosi nga Tirana. Rreth orës 04;00 punonjësit e patrullës konstatuan një automjet që vinte me shpejtësi të madhe. Ata ngritën tabelën por automjeti ishte me shpejtësi shumë të lartë dhe nuk dihet nëse shoferi e pa tabelën apo jo, por vijoi rrugën në krah të kundërt të autostradës.

Menjëherë është lajmëruar salla operative për automjetin në sens të kundërt. Një tjetër automjet shmangu makinën dhe lajmëroi sallën operative për makinën që lëvizte në sens të kundërt në autostradë. Patrulla u kthye tek mbikalimi i Fllakës dhe mori drejtimin në autostradë për të ndjekur automjetin, vetëm një minutë më pas u lajmërua nga salla operative për aksidentin në Sukth.

Sipas Policisë Rrugore të Durrësit, nuk dihet me saktësi se nga është futur kundravajtje në autostradë Dashnor Deliallisi. Por dy janë mundësitë, nga mbikalimi i Serave që lidh Shkozetin me Kënetën, ose nga Ura e Dajlanit.

Sipas policisë së qarkullimit rrugor, automjeti ka ecur rreth 12 km në sens të kundërt, dhe është ndeshur vetëm me një mjet që e shmangu aksidentin, pasi kishte fushëpamje. Sapo ka mbërritur tek kthesa sapo ka lënë Sukthin, aty rruga është shumë e gjerë dhe mund të shmangej aksidenti, por vajza shofere nuk ka patur fushë pamje dhe as 36-vjecari që lëvizte ne sens të kundërt.

AKSIDENTI
Përplasja kokë më kokë e dy automjeteve në autostradën Tiranë-Durrës u ka kushtuar jetën katër të rinjve. Aksidenti tragjik ku mbetën të vdekur tri vajza dhe një 36-vjeçar ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në afërsi të Sukthit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bënë me dije se automjeti tip “Benz” me targa AA 694 IL, në të cilin udhëtonin Greta Sherifi, 23 vjeçe, Izabela Balla, 33 vjeçe dhe Elona Kaçibaros, 34 vjeçe, është përplasur me mjetin tip “Benz” me targë AA 979 GV që drejtohej nga Dashnor Deliallisi, me origjinë nga Fushë-Kruja dhe banues në qytetin bregdetar.

Sipas burimeve të mësipërme, shkak i aksidentit të rëndë është bërë futja në sens të kundërt të autostradës të makinës që drejtohej nga Deliallisi dhe shpejtësia e madhe me 150 km/orë. Mësohet se 36-vjeçari, i cili kishte hyrë në kah të kundërt që tek Ura e Dajlanit dhe ka vazhduar rrugën për 12 km deri te vendi ku dhe ndodhi përplasja fatale, po ndiqej nga uniformat blu. Pas kryerjes së hetimeve në vendin e ngjarjes, burime nga grupi hetimor deklaruan se “kamikazi” që vrau tri vajzat ishte nën efektin e drogës. Kjo referuar ekspertizës mjeko-ligjore që vërtetoi se Dashnor Deliallisit i janë gjetur në gjak gjurmë të lëndëve narkotike. Ndërkohë, pohohet se tre vajzat që humbën jetën në aksident (shoqe me njëra-tjetrën) po udhëtonin drejt Greqisë për disa ditë pushime.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: