Angela Merkel mbetet gruaja më e fuqishme në botë, sipas revistës prestigjoze “Forbes”. Për të shtatin vit radhazi dhe për herë të 12-të në total Merkel kryeson listën e revistës “Forbes” të 100 grave më të fuqishme, shkruan The Telegraph.

Kancelarja gjermane la pas Theresa May, Melinda Gates dhe Sheryl Sandberg në luftën për vendin e parë, pavarësisht goditjes që mori në zgjedhje.

Gjysma e femrave në listë janë amerikane, ndërsa Britania e Madhe ka tetë përfaqësuese. Pjesa tjetër janë nga Evropa, 13.

Hyrjet e reja në listë janë Ivanka Trump (vendi 19), e bija dhe këshilltarja e presidentit amerikan Donald Trump, Niki Haley (43), ambasadore amerikane në OKB dhe aktorja Priyanka Chopra (97), ambasadore e vullnetit të mirë në UNICEF.

Ish-zonja e parë e SHBA-së, Michelle Obama nuk është pjesë e listës, pas largimit të saj nga Shtëpia e Bardhë vitin e kaluar. Hillary Clinton, e cila për herë të parë ka hyrë në listë në vitin 2004, ka rënë për 63 pozita, nga e dyta sa ishte në vitin 2016 në pozitën 65, në vitin 2017, shkruan The Telegraph.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb