Pas Google edhe Apple ka vendosur që të ndihmojë refugjatët në Evropë. Shefi ekzekutiv i Apple-it, Tim Cook, premtoi se kompania do të dhurojë një shumë të konsiderueshme tek organizatat që merren me strehimin e refugjatëve.

Në një mesazh elektronik dërguar stafit të Apple, i publikuar nga BuzzFeed dhe The Telegraph, Cook shprehet se do të ndihmojë të gjithë refugjatët nga Siria apo shtetet e Lindjes së Mesme që kanë ardhur në tokën evropiane për një jetë më të mirë.

“Mijëra njerëz kanë humbur jetën , pasi kanë ndërmarrë udhëtime të vështira nga toka dhe deti,” shkroi Cook. “Apple do të dhurojë një shumë të konsiderueshme tek agjencitë të cilët ofrojnë ndihmën e tyre humanitare për refugjatët në Evropë dhe Mesdhe.”

Cook iu ka kërkuar edhe punonjësve që ta japin kontributin e tyre, si dhe ka hapur një faqe në iTunes ku të gjithë përdoruesit mund të dërgojnë para tek Kryqi i Kuq.

Google njoftoi në fillim të kësaj jave se do të japë ndihmën e saj për refugjatët. Kompania financoi 1 milion euro tek organizatat që ofrojnë ndihma humanitare në frontin e parë të refugjatëve dhe emigrantëve në të gjithë botën. Gjiganti i kërkimit ka hapur gjithashtu një faqe ku njerëz nga e gjitha bota mund të japin kontributin e tyre, dhe parave të mbledhura do t’i shtohen edhe 5 milionë euro nga kompania.

(g.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb