TIRANE– Gazetarja Klodjana Lala ka dhënë detaje ekskluzive nga dosja e Prokurorisë së Lezhës mbi zyrtarët e arrestuar për tjetërsim pronash në bregdetin e Shëngjinit, mes të cilëve edhe kreu i bashkisë Fran Frrokaj. E ftuar në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në News24, gazetarja tha se të gjitha proceduarat e dokumenteve dhe pagesat janë kryer nga punonjësi i bashkisë së Lezhës me detyrë specialist, Ardenis Haxhi.

Lala tha se personat e akuzuar, mes të cilëve edhe kreu i bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj kanë falsifikuar edhe firmën dhe vulën e ish kreut të Komunës së Shëngjinit.

“Të gjitha këto skema janë bërë nga një punonjës i Bashkisë. Në momentin e aplikimit për tjetërsimin e pronave, pagesat dhe procedurat janë kryer nga Ardenis Haxhi me detyrë specialist në bashkinë e Lezhës, i cili ka kryer veprimet për llogari të përfituesve. Është falsifikuar gjithashtu edhe vula dhe firma e ish kreut të komunës Shëngjin Salvador Kaçaj. Kaçaj është shokuar kur ka marrë vesh që një pirg me dosje mbajën firmën e tij, pasi ai nuk i ka firmosur pasi ligji nuk ja lejonte. Shitblerja është bërë me një shpejtësi shumë të madhe. Kjo tokë është ne sekuestro dhe një nga emrat që rezulton si pronar që e ka blerë është një biznesmen. Këto tre institucione, Bashkia, Këshilli i Qarkut dhe Hipoteka kanë pasur bashkë një ‘marrëveshje të heshtur’- tha Lala

Ndërkohë Lala komentoi edhe lirimin e kreut të bashkisë së Lezhës dhe zyrtarëve të tjerë, pasi ndaj tyre Gjykata vendosi masën ‘arrest shtëpie’. Gazetarja tha se prokuroria vërtet nga viti 2017 ka hetuar për këtë dosje, por ka ngritur dy akuza për këta persona, shpërdorim detyre dhe falsifikim, ndërsa s’ka ngritur akuzën e bashkëpunimit.

“Prokuroria, e ndikuar politikisht, apo për shkak të ndërhyrjeve, presioneve, apo edhe te paaftësisë, këtë s’di ta them, i ka lënë këto akuza dhe ka lënë hapësira ligjore duke i lënë mundësi gjykatës ta ndryshojë vendimin dhe ti dërgojë në arrest shtëpie. Kjo tregon se e gjithë kjo rrëmujë, që do duhet të kishim akuzë për korrupsion, prokuroria s’e ka bërë, është mjaftuar duke hartuar disa akuza dhe duke lënë hapësira ligjore, për ta katandisur këtë dosje në pafajësi…”- tha Lala.

(d.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: