Gazetari Osman Stafa ka reaguar sërish sa i takon incidentin që u regjistrua dje teksa ishte në krye të detyrës, duke raportuar protestën. Ai u sulmua nga dy persona, të cilët lëshuan akuza ndaj gazetarit. Stafa tha se nuk do të heqë dorë nga misioni i tij, duke qenë zeri i qytetarëve.

“Unë do të vijoj përsëri të raportoj protestat e qytetarëve, protesta të cilat nuk janë thirrur nga partitë politike por nga hallet e shqiptarëve, nga korrupsioni, nga mungesa e shëndetësisë, nga degradimi i arsimit, nga shpopullimi, nga pagat e ulëta, pensionet e ulëta, pamundësia për të ndërtuar të ardhmen, pabarazia e madhe në Shqipëri. Dhe nuk ka forcë, të paktën në këtë botë, që të më ndalojë mua të bërtas, të ngre zërin, të jem zëri i atyre njerëzve që nuk flasin dot. Prandaj, edhe pas incidentit të mbrëmshëm, provokimit, sulmit, sharjeve, fyerjeve, unë përsëri nuk ndalem.

Kanë tentuar vazhdimisht të më ndalojnë, sidomos për denoncimet që kam bërë në shëndetësi, teksa pacientët e onkologjikut kanë mbetur pa ilaçe, teksa pacientët e tjerë janë përplasur në dyert e spitaleve dhe nuk kanë marrë shërbim sepse s’ka pajisje apo u janë kërkuar para. Unë do të jem përsëri zëri i atyre, do të vijoj me misionin tim sepse e besoj dhe nuk ka forcë në botë që të më ndalë mua nga ajo çfarë besoj.

Kanë tentuar, e kanë marrë përgjigjen, edhe ajo e mbrëmshmja nuk ndikon fare në rrugëtimin tim, në atë çfarë besoj: në një protestë qytetare, në një protestë e cila është ngritur për hallet e njerëzve dhe jo e thirrur nga partitë politike. Ndaj të gjithë do të duhet të jenë përsëri në shesh të protestojnë për të drejtat e tyre, për atë çka besojnë. Askush nuk e nxjerr tjetrin me zor në shesh, por gjithsecili e di hallin, e di problemin, e di situatën në Shqipëri. Ndaj duhet ta vrasë frikën, të mos ndikohet nga askush sepse njeriu i lirë është më i fortë se çdo lloj pushteti.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: