LUSHNJE- Në një kohë kur dje u përfol se ai dyshohej të ishte atentatori i tretë i vrasjes së dy të rinjve pak ditë më parë në Lushnjë, të tjera detaje dalin në lidhje me shtetasin Julian Sula. Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se Sula, i cili jeton në lagjen “Karbunara”, është marrë dje paradite në pyetje nga policia dhe nuk është vetëdorëzuar, ku ka dhënë dëshminë e tij nëse kishte dijeni për vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit. Të njëjtat burime pohojnë se fill pasi është pyetur, Juliani, i njohur me nofkën “Juli i Pashakos”, është larguar nga ambientet e komisariatit të Lushnjës.

“BalkanWeb”
mëson se pak orë pas krimit që tronditi Lushnjën, por dhe mbarë opinionin publik, tre makina policie kishin shkuar në banesën e Sulës, ku pas kontrollit ai ishte marrë në pyetje. Aktualisht në Komisariatin e Lushnjës nuk ka asnjë person të ndaluar për këtë ngjarje, ndërsa në kërkim janë shpallur Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Lidhur me këtë ngjarje janë pyetur shumë persona, që janë kontingjent për policinë.

Pasditen e 11 tetorit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit” në Lushnjë, u ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, si dhe u plagos miku i tyre Marius Xhepexhiu, ndërsa i shpëtoi mrekullisht plumbave Saimir Xhelili. Policia thotë se ka identifikuar autorët, ata dyshohet të jenë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Hetuesit besojnë se masakra vjen si pasojë e hakmarrjes midis grupeve rivale. Por ka dyshime për atentat të organizuar. Autorët pasi vranë të rinjtë, deshën të zhduknin gjurmët dhe dogjën makinën pranë fshatit Çukas në rrugën e vjetër Lushnjë-Berat.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: