TIRANE– Parlamenti i vërtetë për Lulzim Bashën është çadra e opozitës. Mbëmjen e djeshme, teksa qëndronte bashkë me protestuesit, lideri i demokratëve iu bëri thirrje të gjithë deputetëve të parlamentit shqiptar, që nuk kanë rekorde kriminale, t’i bashkohen opozitës.

Por sipas Bashës, në këtë tendë nuk ka vend për 19 deputetët me rekorde kriminale.

“Nesër (sot) në këtë tendë, do të nisë punimet Parlamenti i ri shqiptar. Nesër (sot) në këtë tendë, ftoj çdo deputet jo të lidhur me krimin, pa rekorde kriminale, është i ftuar të vijë në këtë aulë të vërtetë të demokracisë, ky është parlamenti shqiptar.

Grupi Parlamentar i PD do ta bëjë seancën parlamentare këtu, me qytetarët. Deputetët e opozitës do të jenë të gjithë këtu. Këtu është vendi për çdo deputet tjetër të majtë që nuk është i lidhur me krimin që nuk i ka borxh këtij populli, i siguroj se qytetarët do t’i respektojnë nëse vendosin të jenë pjesë e këtij Parlamenti të vërtetë. Të vetmit që nuk janë të ftuar në këtë tendë të mos u shkojë mendja t’i afrohen këtij parlamenti popullorë janë 19 deputetët me rekordet kriminale. Ata nuk kanë vend këtu dhe atje ku janë do t’i nxjerrim së shpejti. Deputetët e tjerë nesër kanë një mundësi për të vendosur duke zgjedhur, a do të jenë këtu në Parlamentin e vërtetë, në demokracinë direkte në auolën tonë apo do të jenë në Parlamentin, kukull fasadë. Kush është me popullin të vijë te populli. Kush është me krimin të rri atje deri sa populli t’i nxjerrë”, tha Basha.

Mëngjesin e së enjtes, pranë çadrës së protestuesve do të ngrihet flamuri kuqezi dhe do të këndohet himni kombëtar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb