TIRANE- Pas zërave kundër në PD sa i takon qëndrimeve për zgjedhjet në Dibër dhe zhvillimeve brenda partisë, ka reaguar Lulzim Basha. Në mbledhen e sotme që ka zhvilluar grupi parlamentar, kryetari Basha ka bërë thirrje për unanimitet brenda grupit.

Teksa ka kritikuar largimin e deputetëve të PD nga seanca e kaluar parlamentare, Basha ka theksuar se ky nuk është një vendim i drejtë.

“Largimi i opozitës nga Kuvendi të enjten është jo i drejtë. Duhet përballje, një grup një qëndrim. Jo vetëm Noka e Zeneli, duhet të qëndroni të gjithë për përballje”, tha Basha.

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura pohojnë për ‘BalkanWeb’ se Basha u ndal gjithashtu edhe tek reforma në drejtësi, duke u shprehur se mazhoranca ka prishur konsensusin e arritur më 21 korrik. “Mazhoranca kërkon të kapë drejtësinë”, tha Basha.

Sa i takon projektligjit për mbetjet, Basha tha se “kjo është skemë mafioze dhe kriminale”.

Sakaq burime brenda grupit të PD-së bëjnë me dije për ‘BalkanWeb’ se është diskutuar për finalizimin e punës së komisioneve hetimore për emërimet në administratë dhe serverin e tatimeve. “Duhet të mbyllet puna e komisioneve hetimore në Kuvend, për të kaluar tek ngritja e komisioneve të tjera hetimore, si në rastin e ARMO-s dhe Arsimit”.

Duket se në të njëjtin mendim ka qenë edhe ish-kryeministri Berisha, i cili ndër të tjera ka kërkuar edhe “riaktivizimin e diskutimit për rezolutën për dekoratat”.
(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb