TIRANE –Mbledhja e grupit parlamentar të PS-së është karakterizuar nga debate të ashpra. “Panorama” shkruan sot se mbledhja u shoqërua me tensione, mes deputetit kontrovers, Ben Blushi dhe kryetarit Edi Rama.

Mbledhja, e cila ishte thirrur për letrën e deputeteve Hafizi dhe Dade për ngjarjet në takimin e Elbasanit duket se ka qenë e tensionuar. Ben Blushi ka akuzuar Ramën se nxiti anëtarët e PS¬së në Elbasan që ta sulmojnë.

“Nuk kanë faj ata njerëz, por ti që i shtyve të silleshin ashtu”, mësohet t’i ketë thënë Blushi, Ramës.

Nga ana tjetër, kryeministri, i nxehur ka folur për akuzat e Blushit për deputetët me rekorde kriminale. “Ku i ke deputetët e inkriminuar. Fol, ke gjithë këto kohë që shpif”, i tha Rama, Blushit.
Deputeti Blushi më pas ka përmendur emrin e Tom Doshit. Pas kësaj Rama është nxehur dhe e etiketoi Blushin si “rrugaç dhe shpifës”.

Më pas Blushi tregoi se ministrja Kodheli i ishtë lutur që të mos e fuste në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 2013¬s deputetin Arben Ndoka, por Rama nuk e dëgjoi.

 

Ndërkohë deputeti Pjerin Ndreu i tha Blushit se synimi për kryetar nuk duhet t’i errësojë arsyen e argumentin. Sipas Ndreut, PS i duhet me shumë unitet e jo thashetheme që duan t’i veshin këtij parlamenti gjithë zullumet e 25 viteve.

“Ngjarja e Elbasanit nuk e nderon PS kjo duhet thënë.  Nga ana tjetër Blushi nuk ka të drejtë për debatin e zgjedhjes së kryetarit.  Nuk është ky problemi i socialistëve dhe popullit që pret shumë nga ne. Reformat janë të dhimbshme ka thënë Kryeministri, por në vete po i shtojmë dhimbjet. Kështu po riciklojmë Berishën. I them Blushit që synimi për kryetar nuk duhet t’i errësojë arsyen e argumentin. Të thuash se ka banditë në një kohë kur ishe anëtar kryesie e s’the asgjë për 2 vjet, është amorale dhe e kompromenton qëllimin tënd. Armando Prengën me të cilin ti ke drekuar shumë herë, nuk e ka toleru askush por i është ashpërsu shumëfish pozita nga vete policia jonë.

Nuk të nderon kjo që thu.  PS i duhet me shumë unitet e jo thashetheme që duan t’i veshin këtij parlamenti gjithë zullumet e 25 viteve. Ka pasë parlament ku janë vrarë, qe ka prodhu 97, që ka sjellë amulli e korrupsion prej vitesh. Në mezi po i riparojmë e jo ti mbajmë në kurriz. Kjo rrugë na çon të Berisha. Kryekrimineli bën e imponon ligjin për dekriminizimi me tekat e veta ?! Pra duhet të jeni një se kemi edhe një vit kohë deri në zgjedhje. Del një deputet e sulmon me gazetë kryetarin e bashkisë Tirane për një drejtor që ju hoq ?! Ky është turp !!! Kryetari i bashkisë është personalitet dhe duhet të mbështet. Së fundmi Partia e ka kryetarin, kur të mbarojë mandati hapim debat për tjetrin.”- deklaroi Pjerin Ndreu.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: