TIRANE- Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me debate mes deputetëve Ben Blushi dhe Erjon Braçe. Koncesionet e dhëna nga qeveria e PD dhe qeveria aktuale duket se kanë shkaktuar debatin mes dy deputetëve. Duke debatuar për ligjin e tatimit mbi të ardhurat, Blushi tha se vetëm në vendin tonë ndodh që një qeveri të taksojë “më shumë trurin sesa dhjamin”.

“Kjo qeveri takson më shumë trurin se dhjamin. Vetëm këtu ndodh. Sollëm para 3 javësh këtu një amendament për minimumin jetik, për nxjerrë mijëra familje nga varfëria. Por as në komision nuk e fute. Varfëria luftohet duke i marrë më shumë evazorëve, e duke iu dhënë atyre që nuk kanë. Varfëria nuk luftohet me procedurë”, tha Blushi.

Teksa u ndal sërish tek pengesa që i është bërë partisë LIBRA për t’u regjistruar nga KQZ si forcë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Blushi e quajti këtë “kërcënim politik”. Fill pas kësaj, deputeti Blushi i drejtoi një gjëegjëzë kolegut Braçe, gjë e cila ngjalli edhe më shumë reagim nga pala tjetër

“LIBRA është regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje, por ai që keni emëruar ju nuk e lejon. Ende nuk është regjistruar LIBRA si parti politike në zgjedhje. A nuk është ky kërcënim politik para zgjedhjeve? Po të them një gjëegjëzë, shpresoj të më japësh një përgjigje:

Unë kam një mace, ta fal ty. Macja që të kam falur ty kafshon rastësisht Taluantin. Kush e ka fajin, unë, ti, Taulanti apo macja?”, – tha Blushi.

Fill pas kësaj ka ardhur reagimi i deputeti socialist, i cili akuzoi Blushin se vetë i ka votuar ato koncesione të cilat i kundërshton sot.

“Unë para se të vij këtu çoj vajzën në shkollë. E kur vij këtu, besoj se flas me burra. Kur të kthehet vajza nga shkolla ta jap një përgjigje. Kur fola këtu e kisha fjalën për Bumçin, nuk e di nëse ti dhe Bumçi jeni njësoj. Meqë me adresove një gjëegjëzë, por të adresoj një gjë më të thjeshtë: të lexosh. Hyr në faqen e ministrisë të Financave, dhe lexo ligjin për tatimin e të ardhurave. Unë e di që lexon librat e tu, por lexo edhe ligjin. Unë kam një qëndrim timin për koncesionet.

Unë në këtë sallë nuk kam votuar asnjë koncesion. Por edhe pse ti dole kundër, unë prapë kam votuar kundër koncesioneve. Unë çohem këtu, dhe them se ti nuk di asnjë gjë për koncesionet, se po të kishe, do të kishe bërë minimumin e diferencës, midis koncesionit të skanimit që ngarkon buxhetin e shtetit, që ti e ke votuar dy herë kur ishte në këtë krah, unë nuk e kam votuar. Tani çohu këtu dhe më trego një koncesion të miratuar nga kjo qeveri që ngarkon me barrë edhe buxhetin e shtetit edhe qytetarin. Por ti nuk e kupton”, tha Braçe.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb