Në një kohë kur politika ‘zien’ nga akuzat e PD-së për ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj ku kërkohet edhe dorëheqja e tij, pasi pretendohet se ky i fundit po mbron vëllain e tij nga burgu për shkak të lidhjeve me trafikun e drogës, vjen reagimi i kryeministrit Edi Rama.

Ndonëse ai ndodhet ende në Francë, ku zhvilloi edhe një takim me presidentin Emanuel Macron, Rama ka thyer heshtjen një ditë pak publikimit të audiopërgjimit të PD ku thuhet se është vëllai i Xhafajt që flet me trafikantët e drogës. Kreu i Ekzekutivit njoftoi se do të flasë nesër për këtë çështje në orën 11:00 në mbledhjen e grupit parlamentar. Ndërkohë, në mesazhin e tij Rama pohoi se ‘s’kemi qenë asnjëherë të gjithë njësoj e s’do jemi kurrë njësoj’.

“Jemi të gjithë njësoj?JO, s’kemi qenë asnjëherë të gjithë njësoj e s’do jemi kurrë njësoj!Nesër në 11.00 përpara Grupit Parlamentar, qëndrimi im për situatën e krijuar me Ministrin e Brendshëm dhe ecurinë e përpjekjes diplomatike drejt objektivit historik të çeljes së negociatave”, tha ai.

“BalkanWeb” mëson se Rama do të mbërrijë në Tiranë gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa nesër është parashikuar mbledhja me grupin parlamentar të PS. Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar se nesër do të zhvillojë një protestë para Ministrisë së Brendshme, ku do të kërkohet edhe dorëheqja e Xhafajt nga detyra.

Kujtojmë se Xhafaj nuk ka reaguar pas audiopërgjimit të publikuar dje nga PD, në të cilin ishin regjistruar një bisedë mes një personi me emrin Agron, dhe disa personave të tjerë, që sipas demokratëve janë bashkëpunëtor në trafikun e drogës. Sakaq, dje në mbrëmje vëllai i Xhafajt, Agron Xhafaj procedoi penalisht tre deputetë të PD-së, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi dhe Ervin Salianji, me pretendimin se kanë sajuar prova dhe në asnjë moment zëri që është dëgjuar në audiopergjimin e publikuar nuk është i tij.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: