Institucionet që menaxhohen nga shteti, administrata publike dhe ndërmarrjet shtetërore janë duke përkeqësuar performancën financiare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE e cila filloi të përmirësohet pas vitit 2014 me rritjen e arkëtimeve nga konsumatorët familjarë.

Sipas të dhënave zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë, borxhet ndaj OSHEE në vitin 2017 arritën vlerën më të lartë historike në 72.8 miliardë lekë (543 milionë euro) me një rritje 3% nga viti i kaluar. Vlera më e lartë e detyrimeve u shënua në vitin 2014 me 71.4 mld lekë.

Ndikimin më të madh në rritjen e borxheve ndaj OSHEE-së e dhanë institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, të cilat rritën detyrimet ndaj OSHEE me rreth 32%, me një vlerë 10.6 miliardë lekë ose 79 milionë euro.

Në të kundërt, konsumatorët familjarë kanë ulur më tej detyrimet ndaj Operatorit të Shpërndarjes, me rreth 6 milionë euro vitin e kaluar. Detyrimet totale ranë në 50.7 miliardë lekë nga 51.1 miliardë lekë që ishin më 2016.

Teksa borxhi i konsumatorëve familjarë ka ardhur në ulje për të tretin vit radhazi, pas një rritje galopante që pësuan këto detyrime gjatë periudhës 2009 – 2013, kategoritë e tjera të konsumatorëve, ku përfshihen bizneset private dhe shtetërorë kanë rritur më tej ekspozimin ndaj OSHEE-së.

Borxhi i bizneseve ndaj OSHEE u rrit me rreth 3 milionë euro, duke e çuar vlerë totale të detyrimit në 11.4 miliardë lekë nga rreth 1 miliard lekë që ishin detyrimet deri në fund të vitit 2016.

Në vitin 2014, qeveria vuri në zbatim një plan për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura shtetërore. Nëpërmjet këtij plani u shuan detyrimet që institucionet shtetërore kishin ndaj kompanisë së Shpërndarjes. Por që nga viti 2014, detyrimet që shteti dhe ndërmarrjet e tij kanë ndaj OSHEE-së janë rritur me 117%.

Qeveria dhe ndërmarrjet në pronësinë e saj janë duke cenuar rëndë zbatimin e planit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë, ku ulja e borxheve është në themel të këtij plani./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb