“Rekomandimi i Komisionit Evropian është një zhvillim i rëndësishëm për vendet e rajonit tonë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal”.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në New York, në kuadër të takimit të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Paqendërtimin dhe Paqeruajtjen në botë.

Gjatë qëndrimit në New York, Ministri Bushati zhvilloi edhe një leksion në Universitetin Columbia, me një audiencë të gjerë pedagogësh, studentësh, studiues dhe njohës të zhvillimeve në Ballkan.

Në fjalën e tij, Ministri Bushati u përqendrua tek përfshirja e marrëdhënieve dypalëshe, konsolidimi i shtetit të së drejtës, zhvillimi ekonomik dhe roli i fuqive të treta. Ai evidentoi bashkëpunimin e shkëlqyer me SHBA-në mbi bazat e partneritetit strategjik, kontributi i të cilëve është i rëndësishëm për zhvillimet e qëndrueshme dhe të fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit.

Kreu i diplomacisë shqiptare iu përgjigj interesimit të të pranishmëve mbi ndikimin që kanë faktorë të tretë në zhvillimet politike, ekonomike e sociale në vendet e rajonit tonë.

Gjatë qëndrimit në New York, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Administratorin e PNUD-it Achin Steiner. Bashkëbiseduesit vlerësuan kontributin që PNUD jep në zhvillimin e disa reformave të qenësishme në Shqipëri.

Ministri Bushati vlerësoi kontributin që ky organizëm jep në kuadër të zbatimit të axhendës 2030 mbi objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

Shqipëria luan një rol pararojë në raport me vendet e tjera të Ballkanit dhe për këtë arsye do të paraqesë një raport vullnetar të zbatimit të OZHQ (Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm), në OKB. Këto objektiva janë të ndërlidhura ngushtë me strategjinë globale të zhvillimit dhe me prioritetet e vendit tonë në kuadër të anëtarësimit në BE.

Gjithashtu, Ministri Bushati zhvilloi një takim me shqiptarë që punojnë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ai vlerësoi kontributin që ata japin duke shërbyer si ura lidhëse mes OKB-së dhe institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: