Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, Monica Macovei kërkoi dje, që në lidhje me ndalimin e dy deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku, të ketë një proces objektiv me rezultate konkrete hetimore. “Nuk jam në gjendje të them nëse kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe ndalimin e këtyre dy deputetëve bazohet në prova dhe se është marrë në mënyrë të pavarur, jashtë influencave. Unë vetëm shpresoj se ka ndodhur kështu. Por, në fund do ta shohim, kur ato të bëhen publike, nëse ka vepruar drejt. Prandaj them hetime me rezultate. Njerëzve u duhet dhënë një përfundim bazuar në provat e publikuara. Njerëzit duhet të kenë besim në sistem dhe ju tani jeni në një moment delikat. Kur nis të bësh ndryshime, disa njerëz do dyshojnë, nëse është e vërtetë dhe nëse ka ndikime. Kur është real, serioz dhe pa influenca interesash, ka rezultate dhe evidenca për të treguar, duke i bindur njerëzit në Shqipëri, jo neve. Ne ju besojmë”, – u shpreh Macovei në një intervistë për “TCH”. Ajo shtoi se, “i shohim këto akuza dhe do presim që të shohim arsyetimin, evidencat, dhe rezultatin përfundimtar”. Lidhur me kërkesën e ish-deputetit Tom Doshi për ekspertë të huaj në këtë hetim, Macovei tha: “Nuk është mirë që vendi të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve për hetimet, për prokurorë e gjykatës të huaj. E kam dëgjuar dhe këtë. Juve ju është dhënë statusi kandidat dhe tani flasim për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në, pra jeni në rrugën e duhur. Një prej reformave më të rëndësishme është ajo e gjyqësorit dhe ju thoni ‘kemi bërë hapa të mirë për këtë’. Si ka mundësi? Nuk ka asnjë prokuror e gjykatës të ndershëm, të drejtë e të pavarur në Shqipëri për ta bërë këtë punë? Nëse ju veproni kështu, do e shihni se gjithçka do të bllokohet dhe nuk do të hapen negociatat”, – u shpreh eurodeputetja.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb