TIRANE– Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur mëngjesin e kësaj të premteje në Presidencë për 90 minuta deputetët e Komisionit të Jashtëm, ku kanë biseduar në lidhje me çështjen e negociatave me Greqinë dhe komunikimin mes Kreut të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

Ky vendim i Presidentit u mor pas kërkesës së opozitës në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit për të thirrur edhe Presidentin në seancë dëgjimore, pas asaj të zhvilluar me ministrin Bushati.

Gjatë takimit, Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe informoi deputetët me qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje duke nënvizuar se për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të qëndrueshme, kërkohet bashkëpunim dhe seriozitet nga të gjitha institucionet.

“Kreu i Shtetit vlerëson frymën bashkëpunuese dhe konstruktive, që karakterizoi bashkëbisedimin me deputetët e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Lidhur me këtë takim, fillimisht Presidenti pranoi kërkesën, por ai u këshillua që të tërhiqej nga një qëndrim i tillë, duke e zëvendësuar me një tjetër lëvizje, siç ishte thirrja e anëtarëve të Komisionit të Jashtëm në Presidencë. Takimi i cili u realizua mëngjesin e sotëm.

Nisur nga fakti që nuk ka precedent, që Presidenti të japë sqarime në komisione parlamentare, dhe duke rrezikuar ta kthejë atë në një të tillë, Meta ka zgjedhur të ftojë deputetët në selinë e tij. Në këtë dëgjesë me Presidentin e Republikës kanë qenë deputetët e mazhorancës dhe opozitës, por u vu re mungesa e dy deputetëve socialistë Andrea Marto dhe Adnor Shameti.

Dy ditë më parë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i thirrur në Komisionin e Jashtëm për sqarime mbi marrëveshjen me Greqinë, tha se ishte i gatshëm të paraqitej edhe ai në komision në krah të Metës, por burimet i thanë “News24” një ditë më parë se Presidenti Meta nuk i ka dërguar ftesë atij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb