NGA:VJOLLCA KONGJONI* TIRANE- Konsulentja britanike Crown Agents, e cila po asiston punën e doganave shqiptare prej 18 muajsh, shprehet e zhgënjyer me arritjet në pjesën e parë të vitit. Në një intervistë për News 24, kreu i kompanisë David Smith, deklaron se pavarësisht arritjeve, arsyet e mosrealizimit lidhen më së shumti me paqartësinë e ligjeve dhe procedurave, paaftësinë e doganierëve në disa raste si dhe nivelin e konsiderueshëm të evazionit fiskal dhe korrupsionit.

Shumë shpejt sipas Smith, Doganat do të përfshijnë në operacionet doganore edhe policinë e shtetit, me qëllim mbledhjen e sa më shumë të ardhurave deri në fund të këtij viti.

Përshëndetje z. Smith. Prej disa kohësh kanë dalë të dhënat e 5-mujorit për Doganat Shqiptare dhe siç dihet ka një mosrealizim të të ardhurave në Dogana. Ju si e vlerësoni performancën e punës së Doganave Shqiptare?
Dëshiroj të them fillimisht se ende nuk ka një vlerësim zyrtar të performancës së Doganave Shqiptare. Deri më tani kemi të dhënat për sa i përket realizimit të planit të të ardhurave dhe të faktit që plani nuk është realizuar plotësisht, por, mund të them me siguri se në pikëpamjen tonë, nga ato që shohim çdo ditë në brendësi të shërbimit doganor, është e qartë se shumë është arritur gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, si edhe gjatë 18 muajve të fundit. Ka shumë zhvillimi pozitive, mund të përmend këtu procedurat e reja të cilat janë implementuar për sa i përket për shembull, auditimit të subjekteve të akcizës, kontrollet në kufi, rritja e bashkëpunimit me institucione të tjera, përmirësimi i profileve të riskut, hyrja në fuqi e një Kodi të ri Etike për stafin doganor dhe zbatimi i përpiktë i tij për sa i përket procedimit disiplinor të punonjësve të administratës doganore, si edhe përmirësimi i informacionit për bizneset. Ka ende shumë për të bërë, por aspektet që përmenda më sipër janë përmirësuar. Këta janë hapa të cilët do të rrisin suksesin. Për sa i përket nivelit të të ardhurave të mbledhura, të gjithë janë të zhgënjyer për mosarritjen e objektivat, por ka disa arsye të ndryshme të cilat mund ta shpjegojnë këtë.

Cilat janë këto arsye?
Nëse shihni nivelin e përgjithshëm të të ardhurave të mbledhura nga Doganat kemi disa zëra, përfshirë këtu detyrimet doganore, TVSH-në në import, akciza e cila mblidhet nga autoritetet doganore, rentën minerare dhe brenda për brenda vetë këtyre zërave, nëse i shohim me vëmendje, mund të vërejmë tendenca të ndryshme. Për shembull, në rastin e rentës minerare vihet re një rënie e theksuar e cila nuk varet nga Doganat, por nga rënia kryesisht e çmimit të naftës dhe e produkteve të tjera, gjë e cila ka shkaktuar edhe uljen e të ardhurave si pasojë. Në rastin e TVSH-së në import, ka pasur një rënie të të ardhurave, por ka pasur gjithashtu edhe një rënie të sasisë së mallrave që kanë hyrë në vend.
Në këtë aspekt, nëse sasia e mallrave të importuara bie edhe të ardhurat do të bien. Megjithatë, ne po ndërmarrim disa masa të fuqishme aktualisht të cilat të mund të sigurojnë që vlerësimi doganor dhe taksat që duhet të paguhen të jenë sa më afër vlerës reale të mallrave të importuara, pavarësisht se volumi total i mallrave që hyjnë në vend nuk po rritet. Për sa i përket akcizës, përsëri shohim tendenca të ndryshme. Niveli i mbledhjes së akcizës së alkoolit është përtej objektivit. Kjo nuk do të thotë se s’ka të ardhura të tjera që mund të mblidhen nga ky zë por fakti është që plani është tejkaluar. Nëse shohim akcizën e cigareve ka një rënie të ndjeshme të nivelit të importeve me 20%.
Ky është një shembull i mirë i cili tregon se ka një sërë arsyesh e faktorësh të cilët po mundohemi t’i analizojmë, për shembull, ka një rënie të konsumit të duhanit. Ligji anti-duhan ka reduktuar konsumin e përgjithshëm, edhe pse nuk e dimë ndikimin e saktë që ka pasur. Ka gjithashtu një kalim të konsumatorëve nga cigaret e shtrenjta të importit tek duhani vendas, aspekt për të cilin po punojmë, në mënyrë prodhimi vendas të qarkullojë në mënyrë të ligjshme e të mblidhen të ardhura prej tij.

Mendoni se është vërtetë ligji anti-duhan arsyeja e rënies së të ardhurave të akcizës nga cigaret?
Siç thashë, askush nuk ka bërë një studim të qartë për këtë. Duhet të ketë pasur patjetër ndikim por nuk mund të them se sa ka qenë saktësisht ndikimi i këtij ligji në rënien me 20% të importit të cigareve. Njëkohësisht, nuk mendoj se dikush do të thotë se duhanpirja ka rënë po me 20%. Është e dukshme sidoqoftë që ka një rritje domethënëse të përdorimit të duhanit të grirë dhe prodhimit vendas në treg. Njerëzit po e konsumojnë këtë duhan edhe pse pa akcizë.

Pavarësisht se nuk mund të them përqindjen e saktë pra, është e dukshme që ka një problem të madh me prodhues të paregjistruar të cilët po shmangin akcizën në Shqipëri. Niveli i akcizës së cigareve është gjithashtu një faktor, nëse taksa rritet dhe çmimi gjithashtu mund dhe do të ketë një ulje të konsumit. Ndikimi mund të mos jetë masiv, por qëllimi pse taksa rritet është pikërisht ky. Mund të mos detyrojë shumë persona që të heqin dorë duhani por sigurisht që do të ndikojë në uljen e konsumit të tij, kështu që kjo duhet patur parasysh.

Ministri i Financave, Shkelqim Cani, një ditë më parë ia kaloi përgjegjësinë administratës doganore, madje qe shumë i ashpër kur kërkoi rishikimin e punës në Dogana…
Kjo nuk është hera e parë që ai e thotë këtë gjë dhe jam i sigurt që nuk do të jetë as hera e fundit. Ai ka plotësisht të drejtë sepse mendoj se duhet të jemi të kënaqur me progresin që është arritur në këta 18 muaj, e veçanërisht në 6 muajt e fundit. Këta janë hapa në rrugëtimin tonë dhe jemi ende larg objektivit se si një administratë doganore duhet të jetë. Për sa i përket procedurave të vetvete, disa prej tyre janë të keq përcaktuara. Ka raste në të cilat legjislacioni është i paqartë. Mënyra si procedurat aplikohen është joformale, si nga ana e Doganave në disa raste, ashtu edhe nga ana e biznesit. Shpeshherë mungon respekti ndaj ligjit dhe ndaj procedurave nga të dyja palët.

Në shumë fusha ka mungesë aftësie nga stafi doganor, duke veçuar sigurisht punonjës të cilët janë shumë të përgatitur e të aftë. Ka fusha në të cilat ka shumë pak njohuri institucionale që në disa raste zotërohet më mirë nga bizneset se sa nga vetë Doganat, gjë që përbën një problem. Ka mungesë parash dhe edhe pse ky mund të duket një pohim i zakonshëm, Doganat nuk përbëjnë përjashtim, pavarësisht faktit nëse janë para për infrastrukturë, apo për pajisje elektronike në veçanti. Doganat kanë nevojë të menjëhershme për më shumë investime për të lehtësuar punën e tyre dhe për të reduktuar mundësitë për korrupsion dhe informalitet. Ka shumë gjëra pra që ende duhen bërë në pothuajse çdo nivel, menaxherial, operacional , në nivel politikash dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave sigurisht.

Me gjithë konsulencën e Crown Agents dhe me gjithë rritjen e taksave, sërish niveli i të ardhurave nga Doganat ka ngelur në nivelin e njëjtë me vitin e kaluar. Si e vlerësoni këtë situatë? A jeni të kënaqur me atë që është arritur deri tani?
Unë nuk jam asnjëherë plotësisht i kënaqur, kjo është e sigurt. Nëse shihen me kujdes të ardhurat, vërehen tendenca të ndryshme në zëra të ndryshëm. Nëse niveli i importeve bie pritshmëritë janë që edhe të ardhurat të bien. Dogana nuk ka shkop magjik, ata mund të mbledhin të ardhura që prodhohen dhe hidhen në treg, për sa i përket akcizës dhe produkteve të importit. Synimi ynë është që Dogana të mbledhë nivelin e duhur të të ardhurave, kushdo qoftë ai, por duhet të jetë niveli i duhur dhe ende nuk kemi mbërritur aty. Ka ende evazion në fushën e akcizave, nuk po flasim vetëm për kontrabandim në këtë rast por për nënvlerësim të institucionalizuar të produkteve gjithashtu.

Ekziston ende mundësia që të ardhurat të rriten, edhe pse ekonomia dhe importet mund të jetë në nivele statike. Kjo nuk mund të vijë me magji por me zbatim korrekt të ligjit, me ulje të evazionit. Shumë është arritur deri tani, s’dua të nënvlerësoj disa prej ndryshimeve që kanë ndodhur sepse disa prej tyre nuk janë të lehta, as për Doganat e as për biznesin dhe për disa prej tyre duhet kohë që të japin rezultat.

Ajo që po bëjmë është të vëmë gurët e themelit të cilët do të na çojnë në nivele më të mira të ardhurash. Pra, pavarësisht ecurisë së ekonomisë, Doganat të mund të jenë më të suksesshme në mbledhjen e të ardhurave në krahasim me më parë. Njëkohësisht, ka shumë presion tanimë për ndryshimin e trendit aktual dhe përafrimin e të ardhurave gjatë gjysmës së dytë të këtij viti me planin. Tashmë ne po punojmë me Doganat për një plan 6-mujor në të cilin të mund të identifikojmë fusha të cilat mund të sjellin më shumë të ardhura.
Për t’u ndalur tek korrupsioni dhe evazioni, mos ndoshta është kjo një nga arsyet kryesore pse nuk mblidhen të ardhurat?

Jam i sigurt që ky është një prej faktorëve por s’mund të themi me siguri se çfarë impakti ka. Sidoqoftë evazioni është ende i përhapur gjerësisht dhe ka gjithashtu një problem domethënës me korrupsionin, nuk është zgjidhur, nuk është zhdukur dhe ne po punojmë me administratën doganore për ta ulur korrupsionin sa shumë që të mundemi. Në 6 muajt e fundit ka pasur rezultate të prekshme për uljen e korrupsionit. Fillimisht për sa i përket ngritjes së sistemeve që e bëjnë më të vështirë parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit. Kodi i Etikës për shembull nuk është i rëndësishëm vetëm për faktin që miratuar dhe ekziston si dokument por për faktin që po përdoret për të disiplinuar stafin siç duhet, për korrupsion apo shpërdorim. Ka edhe një sistem për stafin menaxhues tashmë.

Nëse një punonjës i nivelit drejtues merr një vendim, ka një dokument të cilin duhet ta plotësojnë e që tregon se si është marrë ky vendim. Vendimmarrja u takon atyre, por duhet të tregojnë se si kanë arritur tek ai vendim. Ky është mjet i domosdoshëm për zbatimin e qëndrueshëm të ligjit. Një tjetër mjet është testi i integritetit, shumë prej të cilëve tashmë kanë përfunduar. Këto teste mund të zbulojnë korrupsionin ose rrezikun për korrupsion. Sidoqoftë, këto sistemi kanë qenë shumë të efektshme në zbulimin e dobësive të sistemit dhe të rasteve individuale të korrupsionit. Ministri i Financave ka firmosur së fundmi një marrëveshje bashkëpunimi e cila pritet të firmoset edhe nga Ministri i Brendshëm, e cila synon teste të përbashkëta integriteti mes Policisë dhe Doganës.

Për sa i përket rezultateve, rreth 20-30 punonjës dogane janë larguar nga vendet e punës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Anti-Korrupsionit në Dogana, për shkak të përfshirjes në raste korruptive. Marrëveshja e bashkëpunimit do hyjë në fuqi së shpejti dhe u jep mundësinë institucioneve të shkëmbejnë informacion, dy drejtorive homologe të Anti-Korrupsionit në Doganë dhe Ministri të Brendshme. Së dyti, mund të kërkojnë asistencën e njëra tjetrës dhe së treti mund të bëjnë operacione të përbashkëta. Si Policia, ashtu edhe Dogana, kanë secila shumë informacion në dispozicion. Policia ka informacion për individët, për shembull, ndërsa Dogana për bizneset ose financat. Jo vetëm këto dy institucione, por edhe Tatimet. Në këtë mënyrë promovohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve.

Nëse një kompani deklaron një vlerë malli të caktuar në Doganë dhe një tjetër tek Tatimet, përmes bashkëpunimit kjo mund të zbulohet. Është bërë progres në këtë fushë, por edhe më shumë mund të arrihet. Nuk bëhet fjalë për mbikëqyrje të njërës administratë nga tjetra, por për një marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve të barabarta të cilat mund të punojnë së bashku, të ndajnë informacion, gjëra që sjellin rezultate të prekshme. Nuk po flasim pra për një ilaç çudibërës por për një hap tjetër të ndërmarrë në këtë proces të vazhdueshëm.

Mund të ketë edhe shkëmbim informacioni financiar për shembull, jo vetëm me Tatimet, por edhe me Policinë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP). Në fund të ditës, shumë krime ekonomike, veçanërisht ato që përfshijnë evazion, janë të lidhura me paratë, të cilat duhen ndjekur sepse me siguri shkojnë diku. Ne po punojmë me disa institucione për të ngritur sisteme kontrolli. Punonjësit e Doganave shumë shpesh identifikojnë udhëtarë që mbajnë me vete shuma të konsiderueshme parash destinacioni i të cilave duhet të dihet.

Nuk është domosdoshmërish përgjegjësi e Doganave të zgjidhin këtë çështje, por fakti që dikush ka hyrë ose ka dalë nga Shqipëria me një shumë të konsiderueshme parash është informacion që duhet të shkëmbehet me Tatimet dhe mundësisht të punojmë bashkë me ta për të gjetur origjinën dhe destinacionin e këtyre parave për të kuptuar nëse personi/at në fjalë duhet të paguajnë taksa për këto para dhe jam më se i sigurt që përgjigja është ‘Po’.

Cili është objektivi juaj për këtë vit? Sa do të jetë realizimi i të ardhurave sipas parashikimeve tuaja dhe çfarë i këshilloni Drejtoreshës së re të Doganave për të ndryshuar situatën?

Objektivi ynë kryesor për gjysmën e dytë të këtij viti, nga fillimi i korrikut deri në dhjetor, është i njëjtë me objektivin e Doganave dhe atë të qeverisë, pra, realizimi i planit të të ardhurave ose të paktën të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbledhur sasinë e duhur të të ardhurave. Nëse plani realizohet të gjithë do të jemi më të kënaqur dhe unë do të jem ulur këtu ku jam sot duke ju shpjeguar se si u arrit kjo gjë në vend që të mundohem të identifikoj arsyet pse nuk u realizua.

Siç thashë, synimi kryesor është absolutisht realizimi i planit dhe ajo që kemi bërë gjatë 10 ditëve të fundit, në pritje të emërimit të Drejtorit të ri të Përgjithshëm, është përgatitja e një sërë masash që besojmë se do kenë një impakt të drejtpërdrejt pozitiv në nivelin e mbledhjes së të ardhurave. Po flasim më së shumti për masa operacionale, përforcim dhe zbatim korrekt të ligjit në disa fusha, kryerja e disa ndryshimeve në disa fusha të tjera në mënyrë që mallrat të vlerësohen dhe klasifikohen nga Dogana, ndërmarrja e masave të drejtpërdrejta për duhanin pavarësisht nëse është prodhim vendas apo kontrabandë cigaresh dhe ndëshkimi i rreptë i atyre që i fusin këto produkte të pataksuara në treg. Ky është objektivi ynë i përbashkët për 6 mujorin e ardhshëm.

Për sa i përket këshillave për Drejtorin e ri të Përgjithshëm, mendoj se ajo e tha shumë mirë dje (pardje) që objektivi kryesor është realizimi i planit dhe tjetri është përmirësimi i profesionalizmit të punonjësve dhe kjo është më se e drejtë. Nuk ka të bëjë vetëm me imazhin, sigurisht që imazhi pozitiv është diçka e mirë por, ajo që bizneset e ndershme duan të shohin është zbatimi i qëndrueshëm i ligjit. Pritshmëritë e tyre janë që punonjësit e Doganave të jenë të edukuar dhe të kulturuar dhe sigurisht që ata duhet të jenë të tillë, edhe në bazë të Kodit të Etikës, por akoma më e rëndësishme është siguria që bizneset duhet të kenë për sa i përket proceseve (procedurave), ku konsistojnë ato dhe si zbatohen, në mënyrë që të mos kenë surpriza të papritura.

Me Drejtorin e Përgjithshëm do të bisedojmë gjithashtu edhe për më tepër informacion cilësor si për bizneset, ashtu edhe për udhëtarët. Kemi bërë progres në 6 muajt e fundit sepse nëse hyni në Shqipëri përmes pikave kufitare tokësore, ajrore apo detare tashmë do të shihni se ka më tepër informacion të afishuar për udhëtarët. Veçanërisht për sa i përket të drejtave dhe përgjegjësive të tyre si udhëtarë. Por duhet të bëjmë edhe më tepër për sa i përket informimit të bizneseve mbi të drejtat dhe përgjegjësitë, duke e bërë zbatimin e ligjit më të lehtë e të kuptueshëm për ta. Nuk do të jetë e mundur që kjo të bëhet në mënyrë perfektë brenda këtyre 6 muajve, por ne do të bëjmë gjithçka që jemi në dorë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: