Futbolli shqiptar është tronditur sot nga një kërkesë e komisioneve të UEFA-s për të dënuar Skënderbeun me 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane si dhe një gjobë prej 1 mln eurosh.

Në ditët në vijim pritet të merret një vendim nga UEFA, por siç duket i pashmangshëm është ai për një afat kohor të gjatë. Nëse në parim do ta marin të mirëqenë, atëherë 6 ekipe të Superligës janë në ‘luftë’ për vendin që të dërgon në “Champions League”.

Duke parë që korçarët kanë krijuar një distancë të madhe me ekipet ndjekëse në kampionat mund të thuhet se në fund të kampionatit ata me shumë gjasa do të shpallen kampion të Shqipërisë. Si rrjedhojë vendi i dytë në kampionat të dërgon në kompeticionin më madhor të kontinentit.

Në luftë për këtë pozicion aktualisht në kampionatin shqiptar janë pothuajse 6 ekipe. Diferenca mes Flamurtarit që mban momentalisht këtë pozicion dhe Luftëtarit të vendit të 7-t është vetëm 6 pikë.

Pra në garë për “Champions League” janë Flamurtari, Kukësi, Kamza, Laçi, Partizani dhe Luftëtari.

Gjithsesi që të merret vendimi përfundimtar për Skënderbeun duhet pritur pasi padyshim korçarët do ta apelojnë në UEFA por më pas edhe në gjykatën më të lartë sportive, CAS.

Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia e një dënimi nga FSHF që mund ta zbresë ekipin korçar 1 apo disa kategori më poshtë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb